Kryeministri Zaev dhe delegacioni qeveritar në takim me gratë e Partisë së Socialistëve Evropianë: Partia e Socialistëve Evropianë pret që Bashkimi Evropian të japë njohjen e duhur për vendin me hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovvska, deputetja dhe nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Frosina Tashevska-Remenski dhe nënkryetarja e Forumit të Gruas të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe këshilltare për kulturë në Kabinetin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Llaskova, sot pritën delegacionin e grave të Partisë së Socialistëve Evropianë (PSE) dhe Forumit të grave të Partisë Socialdemokrate  të Sllovenisë, të cilën e udhëhiqte Mija Javornik, nënkryetare e Grave të PSE dhe sekretare e përgjithshme e Forumit të grave socialdemokrate të Sllovenisë. 

Kryeministri Zaev në takim u dëshiroi mirëseardhje të ftuarve nga PSE dhe të Sllovenisë dhe theksoi se pjesëmarrja e tyre në marshimin e grave në Forumin e Gruas të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, që me rastin 8 marsit do të mbahet nesër, është mbështetje e fuqishme e politikave për barazi gjinore në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe se solidariteti që gratë e PSE e shprehin me gratë e vendit tonë është në zemër të vlerave social demokrate.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zaev i njoftoi të ftuarit për çështjet aktuale politike në vend dhe për ndryshimet që kanë ndodhur në vitet e fundit dhe theksoi se politikat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut janë në dobi të përpjekjeve për zgjerimin e mundësive për emancipim ekonomik të grave, si një kontribut në luftën kundër të gjitha llojeve të diskriminimit.

Mija Javornik në emër të grave të Partisë së Socialistëve Evropianë (PSE) dhe Forumit të grave të Partisë Socialdemokrate të Sllovenisë, theksoi se vjen me urime për arritjet që Republika e Maqedonisë së Veriut i bëri në dy vitet e fundit në fushën e kthimit të demokracisë dhe veçanërisht në pjesën e proceseve euroatlantike dhe shtoi se PSE mbetet në mbështetjen e fortë për Maqedoninë e Veriut në periudhën paraprake dhe pret që Bashkimi Evropian të japë njohjen  e duhur për vendin me hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE.