Kryeministri Zaev priti në takim ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Akar: Mbetemi të përkushtuar në mirëmbajtjen e marrëdhënieve të mira dhe qasjeve të përbashkëta për çështjet globale të sigurisë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, priti në takim ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, i cili paraprakisht realizoi takim me Zëvendëskryetaren e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Kryeministri Zaev u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe shprehu falënderim për mbështetjen e sinqertë dhe të vazhdueshme të Republikës së Turqisë në realizimin e qëllimeve strategjike të vendit tonë – anëtarësimi në NATO dhe BE.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, theksoi bashkëpunimin  jashtëzakonisht të mirë me Republikën e Turqisë e cila është ndër vendet e para në listë me të cilat kemi bashkëpunim të mirë ekonomik. Ai veçanërisht veçoi bashkëpunimin në planin e çështjeve të mbrojtjes dhe të sigurisë dhe politikave për të cilat me Turqinë kemi qasje të përbashkët lidhur me kërcënimet globale të sigurisë.

“Turqia është vend me të cilin kemi bashkëpunim shumëvjeçar midis ministrive të Mbrojtjes dhe armatave të të dyja vendeve. E një rëndësie të madhe janë trajnimet e realizuara, mbështetja logjistike dhe materiale që e marrim nga ky bashkëpunim, veçanërisht për ngritjen adekuate të standardeve të ushtarëve tanë dhe armatës, në përputhje me standardet e NATO-s”., theksoi Kryeministri Zaev në takimin me ministrin e Mbrojtjes të Turqisë, Hulusi Akar.

Ministri Akar në takim theksoi historinë e gjatë të përbashkët të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve dhe uroi për progresin e vendit tonë në proceset euroatlantike. Po ashtu theksoi se anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në këto aleanca është çështje kohe dhe se Turqia edhe më tej mbetet partner i sinqertë.