Në intervistë në emisionin “Vetëm intervistë” në Kanal 5, Kryeministri Zaev njoftoi se vaksinimi për COVID-19 në vend do të fillojë më së voni në muajin mars, se do të ketë mjaftueshëm vaksina dhe se i tërë procesi do të zhvillohet sipas protokolleve të rrepta sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Shohim që të punojmë në mënyrë profesionale dhe sistematike kur bëhet fjalë për vaksinimin. I ndjekim edhe shtetet dhe sistemet tjera. Presim që vaksinimi të fillojë në mars sipas protokolleve. Rreth 417.000qytetarë duhet të vaksinohen, gjegjësisht rreth 20% e popullsisë. Kemi paraparë dinamikë të vaksinimit. Vaksinimi do të zhvillohet përmes sistemit “Kovaks”. Fillimisht pritet të arrijë vaksina nga “Moderna”, më pas “Fajzer” mandej “Sputnik”. Ekziston regjim i tërësishëm i vaksinimit të popullsisë”, nënvizoi Kryeministri.
Ai theksoi se qytetarët e vendit tonë do të vaksinohen paralelisht me qytetarët e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së.
“Të gjithë popullit tonë i duhet vaksinim me qëllim që ta stopojmë pandeminë. Kush, kur ka filluar është me të vërtetë e parëndësishme. Unë nuk e shoh këtë si garë. Fondet për furnizimin e vaksinave janë paraparë në Buxhet. Kemi porositur vaksina nga BE-ja, ndërsa e pranuam edhe ndihmën me vaksina nga Greqia, Bullgaria, Polonia, Austria. Çdo sasi është e mirëseardhur. Për ne ishte e rëndësishme të bëjmë hapa që t’i sigurojmë vaksinat”, tha Kryeministri Zaev.
Ai tha se gjatë vaksinimit do të ndiqen protokollet – të parët që do të vaksinohen do të jenë personeli mjekësor, më pas të sëmurët kronik dhe qytetarët më të moshuar, më pas familjet që kanë humbur anëtar të familjes. Gjithashtu në këtë grup hyjnë arsimtarët, si dhe edukatorët në kopshte. Ai nënvizoi se duhet të ndjekim sistemin për furnizim dhe në momentin që do të arrijnë vaksinat, imunizimi do të bëhet në mënyrë ekspeditive dhe me protokoll.
“Nëse është paraparë që vaksinat të jenë donacion, do ta respektojmë këtë, Por për të gjitha vaksinat – qofshin nga sistemi “Kovaks”, nga BE-ja, ne kemi fonde buxhetore për t’i paguar. Lidhur me vaksinën ruse “Sputnik” e cila gjithashtu është në sistemin “Kovaks” pritet që pjesë e tyre të arrijë te ne dhe se ka mundësi ajo të arrijë para vaksinës “Moderna”, tha Zaev.
Kryeministri theksoi se janë siguruar kushte kompetente për ruajtjen e të gjitha llojeve të vaksinave, nisur nga “Fajzer” e cila ruhet në temperatur deri në minus 70 gradë dhe të tjerat. Ai n njoftoi se kur të arrijnë vaksinat, pasi të vaksinohen grupet prioritare të qytetarëve, ai do të jetë i pari që do ta pranojë vaksinën dhe shtoi se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme, por se pret se me fushatën të ngrihet vetëdija dhe ndërgjegjja e qytetarëve për shëndetin publik.