Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, sot mori pjesë në hapjen e kopshtit të ri të fëmijëve “Bambi” në Komunën e Novacit.
“Hapja e kopshteve të fëmijëve në çdo cep të vendit mbetet përparësi dhe përmbushje e premtimit zgjedhor të kësaj Qeverie, që është inkorporuar në programin qeveritar. Për ne çdo fëmijë është i rëndësishëm, pavarësisht nëse jeton në qytete të mëdha apo zona rurale”, theksoi ministrja Shahpaska, e cila gjithashtu shprehu kënaqësinë e madhe që kopshti “Bambi” është kopshti i parë që hapet këtë vit dhe kopshti i parë që hapet në Komunën e Novacit.
Ajo vuri në dukje se investimi në zhvillimin e fëmijërisë së hershme është përparësi kryesore e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, sepse edukimi i një personaliteti të ri i cili duhet të hyjë në sistemin arsimor është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tij të mëtejshëm.
“Shteti dhe komuna e mbështetën financiarisht organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni publik, për të cilin nevojitej konstruksion financiar në vlerë prej 9,500,000 denarëve. Prej tyre, nga buxheti i Komunës së Novacit dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale janë ndarë 7,000,000 denarë dhe 2,500,000 denarë, mjete të siguruara përmes projektit – “Menaxhimi i qëndrueshëm i agro-mbetjeve për ngrohjen e zonave rurale - Agrochein, me çka siguruam sistem efikas dhe ekologjik për ngrohjen e kopshtit”, theksoi kryetari i Komunës së Novacit, Lube Kuzmanoski.
Ministrja theksoi se Qeveria e RMV-së mbetet në projeksionin e planifikuar që deri në fund të mandatit, deri në vitin 2024, 60% e fëmijëve në vend të përfshihen në procesin e edukimit në institucionet parashkollore.