Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, në takimin e sotëm me përfaqësueset e Institutit për Politika Evropiane (EPI) bisedoi mbi projektin rajonal të mbështetur nga BE-ja për të drejtat themelore të komunitetit rom dhe ri-integrimin e të kthyerve nga BE-ja. Këtë projekt e zbatojnë Banka Botërore, UNDP-ja dhe Këshilli i Evropës, kurse përfituese e drejtpërdrejtë është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Roli i EPI është të mbështesë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe UNDP-në duke përgatitur një Metodologji për vlerësimin e ndjeshmërisë së të kthyerve në nivel lokal, për shërbimet në dispozicion, potencialet lokale dhe partnerët të cilët mund të veprojnë si ofrues të shërbimeve përkatëse, në fushën e mbrojtjes sociale dhe shëndetësore, gjatë sigurimit të dokumentacionit personal dhe aktivizimin e tyre në tregun e punës.
Nga EPI informuan se vlerësimi i ndjeshmërisë do të përfshijë gjashtë komuna dhe, bazuar në rezultatet, tre prej tyre do të veçohen për zbatimin e aktiviteteve të mëtejshme të projektit.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Shahpaska theksoi se çështja e të kthyerve në vendin tonë është një çështje veçanërisht e rëndësishme, duke marrë parasysh edhe rrugën e integrimit evropian të vendit tonë dhe zbatimin e Kapitullit 23 mbi drejtësinë dhe të drejtat e njeriut.
“Aksesi në shërbimet sociale, punësimi i këtyre njerëzve, arsimi dhe banimi janë pikat kryesore në të cilat Ministria është e gatshme të punojë në mënyrë të ri-integrimit të tyre në mënyrë efektive”, tha Shahpaska. Ajo iu referua mundësisë së lehtësuar të ndihmës së garantuar minimale për kategoritë e cenueshme të qytetarëve, ku bëjnë pjesë edhe të kthyerit, në mënyrë që të sigurohen mjete për jetë dinjitoze. Si moment veçanërisht të rëndësishëm ministrja e theksoi aktivizimin e tyre në tregun e punës, në mënyrë që të shmanget mundësia e pasivizimit të tyre si pjesë e sistemit të mbrojtjes sociale.
Ministrja Shahpaska shprehu mbështetje të fortë për këtë projekt dhe gatishmëri për bashkëpunim në mënyrë që të realizohet me sukses.