Thirrje publike për mbështetje financiare për industrinë dhe operatorët për organizimin e ngjarjeve me angazhim të detyrueshëm të kontraktuesve vendas për realizimin e ngjarjeve me temë që shënojnë 30 vjet pavarësinë e Maqedonisë së Veriut

Në bazë të Ligjit të Realizimit të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2021 dhe në bazë të pakos së pestë ekonomike KOVID–19 masa antikrizë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut – Sekretariati i Përgjithshëm shpall:  

THIRRJE PUBLIKE
për mbështetje financiare për industrinë dhe operatorët për organizim të ngjarjeve me angazhim të detyrueshëm të interpretuesve vendas
për realizimin e ngjarjeve me tema që shënojnë
30 vjet pavarësi të Maqedonisë së Veriut, në periudhën qershor - shtator 2021

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut shpallë Thirrje për mbështetje financiare për industrinë dhe operatorët për organizim të ngjarjeve në suaza të pakos së pestë të masave ekonomike për rimëkëmbjen e ekonomisë maqedonase dhe për tejkalimin e krizës ekonomike KOVID-19. Thirrja ka për qëllim të sigurojë mbështetje financiare për veprimtarin ekonomike dhe të ringjallë aktivitetet ekonomike të kësaj dege, duke siguruar buxhet për organizimin e ngjarjeve publike, përmes angazhimit të artistëve, interpretuesve dhe nëninterpretuesve vendas.

1. Fusha tematike në të cilën do të realizohen ngjarjet: 30 vjet pavarësi e Maqedonisë së Veriut duke shënuar dhe promovuar tiparet e ndryshme të shtetësisë dhe shoqërisë, edhe atë:

  • Ngjarjet më të rëndësishme historike lidhur me shtetësinë, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit tonë (Ilindeni, LNÇ, KAÇKM, Referendumi i Pavarësisë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe Anëtarësimi në NATO);
  • Kultura dhe tradita maqedonase të prezantuar përmes specifikave të identitetit të popullit maqedonas dhe përmes promovimit të gjuhës maqedonase;
  • Kultura dhe tradita e popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe promovimi i gjuhës shqipe;
  • Kultura dhe tradita e turqve, romëve, vllehëve, serbëve, boshnjakëve dhe të gjithë bashkësitë e tjera që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe gjuhëve që fliten në Maqedoninë e Veriut;
  • Përcaktimet strategjike evropiane dhe euro-atlantike të vendit;
  • Karakteri multikulturor i shoqërisë, mozaiku i diversitetit dhe dialogu ndërkulturor;
  • Vende kulturore-historike dhe aspekte të tjera të trashëgimisë kulturore të Maqedonisë së Veriut;
  • Veprimtaria dhe veprat e veprimtarëve dhe autorëve të shquar vendas në fushën e krijimtarisë, kulturës, artit, letërsisë, muzikës, arsimit, shkencës, sportit dhe personaliteteve tjerë të shquara që kanë kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e shtetësisë ose kanë kontribuar në krijimin ose ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

02. Lloji i subjekteve juridike që mund të aplikojnë në thirrjen: Në thirrjen mund të paraqiten subjekte juridike në pajtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, të regjistruar sipas shifrave dhe veprimtarive në vijim (i referohet operatorëve nga industria e organizimit të ngjarjeve, shtëpi të produksionit, agjencitë që organizojnë ngjarje, etj.): 90.04, 90.02, 90.01, 82.30, 77.39, 74.20, 73.11, 59.20, 59.11, 47.43, 46.52, 26.40.

03. Lloji i aktiviteteve që do të mbështeten:
Mjetet e parashikuara për këtë thirrje do të përdoren për të financuar subjektet juridike që organizojnë ngjarje publike, me çka ndër të tjera do të angazhohen edhe interpretues, edukatorë, punonjës të kulturës, artistë, muzikantë vendas dhe profesione të tjera në industrinë e organizimit të ngjarjeve.

Përmes thirrjes do të sigurohet mbështetje financiare për:

  • çdo lloj i ngjarjeve publike (manifestime, performansa, shënime, festime, festivale, koncerte, projeksione, interpretime, punëtori, ekspozita, shfaqje, konferenca, sesione, të sportit dhe lloje të tjera të ngjarjeve publike);
  • ngjarjet e destinuara për publikë vendas të gjerë dhe specifike, ku përmbajtja duhet të jetë e qasshme për një numër sa më të madh të qytetarëve (drejtpërdrejt dhe përmes mediave tradicionale dhe të reja);
  • për krijimin e përmbajtjes së ngjarjeve detyrimisht angazhohen nëninterpretuesit dhe interpretuesit, punonjësit e kulturës, artistë, muzikantë, edukatorë dhe profesione vendase të kësaj industrie.

Mjetet financiare nga ky program dhe bashkë me të edhe aktivitetet që do të mbështeten nga ky program mund të realizohen ekskluzivisht për qëllimin e paraparë nga kjo thirrje publike. Të njëjtat nuk janë të parapara dhe nuk duhet të parashihen për informimin dhe njoftimin e publikut me shërbime ose aktivitete të ndonjë institucioni shtetëror dhe lokal përmes transmetuesve privat, në përputhje me nenin 102 të Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele.

04. Shuma e mjeteve financiare: 

Buxheti i përgjithshëm është 61.500.000,00 denarë (përfshirë TVSH-në). Nga buxheti i përcaktuar, në përputhje me shpenzimet e parashikuara për realizimin e ngjarjeve të propozuara, do të mbështeten tre lloje të projekteve / ngjarjeve:

  • Projekt i madh - ngjarje ose seri ngjarjesh me buxhet të përgjithshëm deri në 60,000 euro përfshirë TVSH (të paktën 10 projekte të mëdha do të mbështeten);
  • Projekt i mesëm - ngjarje ose seri e ngjarjeve me buxhet të përgjithshëm deri në 20,000 euro përfshirë TVSH-në (të paktën 10 projekte të mesme do të mbështeten);
  • Projekt i vogël - ngjarje ose seri deri në tre (3) ngjarje me buxhet të përgjithshëm deri në 10,000 euro (të paktën 20 projekte të vogla do të mbështeten).
     

05. Korniza kohore dhe mënyra e financimit: 
Mbështetja financiare do të realizohet përmes tre kësteve, për periudhën e zbatimit të projektit nga 1 qershori deri më 30 shtator 2021. Kësti i parë (30%) do të paguhet brenda 10 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve me pranuesit e mbështetjes financiare, kësti i dytë (40%) do të paguhet më së shumti 5 ditë para realizimit të ngjarjes dhe kësti i tretë (30%) pas realizimit të ngjarjes dhe pas raportit të dorëzuar dhe miratuar për realizim, por jo më vonë se 15 ditë pas miratimit të raportit (raporti narrativ dhe financiar sipas formës që fituesit do të marrin së bashku me kontratën).
Nëse organizatori i ngjarjes shkel protokollet e kovidit, kësti i fundit i mjeteve nuk do të paguhet. Nëse organizatori shkel edhe kushte të tjera themelore për organizimin e ngjarjes, Qeveria mbanë të drejtën të kërkojë kthim të plotë të mjeteve.
Qeveria do t'u rekomandojë të gjithë aplikuesve që do të marrin mbështetje financiare, shumën e dy kësteve parapaguese, t’a shpërndajnë në mënyrë të barabartë me interpretuesit dhe nëninterpretuesit për angazhimet e të cilëve janë të paraparë mjetet në buxhetin e miratuar të projektit.
 

06. Rregullat e aplikimit:       

  • Ngjarjet duhet të jenë me interes publik në përputhje me temën dhe fushat e dhëna në thirrjen. Tema e thirrjes është: "30 vjet pavarësi e Maqedonisë së Veriut duke shënuar dhe promovuar tiparet e ndryshme të shtetësisë dhe shoqërisë";
  • Një person juridik mund të aplikojë me më së shumti dy (2) fletëparaqitje, në më shumë se dy (2) kategori të ndryshme, por vetëm një prej fletëparaqitjeve mund të miratohet;
  • Për zbatimin e ngjarjeve patjetër duhet të angazhohen kryesisht interpretues dhe nëninterpretues vendas. Interpretuesit dhe nëninterpretuesit e huaj në suaza të kësaj thirrje dhe për ngjarjet e mbështetura nga ky program nuk mund të angazhohen;
  • Aplikuesi duhet të paraqes rënie prej të paktën 40% të të ardhurave në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, ku lartësia e rënies së të ardhurave është një nga kategoritë për vlerësimin e fletëparaqitjeve të arritura, përkatësisht rënie më e lartë e të ardhurave do të thotë edhe më shumë pikë për aplikuesin. (Rënia e të ardhurave dëshmohet me paraqitjen e llogarisë përfundimtare për vitin 2019 dhe 2020);
  • Një artist / interpretues dhe një nëninterpretues (person juridik ose fizik) mund të propozohet në më shumë fletëparaqitje për ngjarje, por ky numër nuk duhet të jetë më shumë se shtatë (7). Në rast se një artist / interpretues ose një nëninterpretues paraqitet në më shumë se shtatë (7) fletëparaqitje, i njëjti do të skualifikohet nga pjesëmarrja në të gjitha ngjarjet e miratuara dhe bartësit e fletëparaqitjeve do të kenë mundësinë të përcaktojnë dhe paraqesin zëvendësim të duhur përpara fillimit të procesit të vlerësimit. Qëllimi i këtij kufizimi është të parandalojë monopolizimin e shërbimeve, ngjarjeve dhe financimin në suaza të interpretuesve dhe nëninterpretuesve;
  • Çdo aplikues - organizator i ngjarjes duhet të paraqesë: marrëveshje për bashkëpunim ose memorandum për mirëkuptim me një ose më shumë interpretues vendas, marrëveshje për bashkëpunim ose memorandum për mirëkuptim me një ose më shumë nëninterepretues dhe marrëveshje për bashkëpunim ose memorandum për mirëkuptim me një ose më shumë mediume ose platforma dixhitale (tradicionale ose mediume të reja);
  • Për propozimet për ngjarje që përfshijnë publik me prani fizike, aplikuesi duhet të paraqesë Plan për zbatimin e protokolleve KOVID-19 i cili përfshin mënyrën e organizimit të shërbimit të kujdestarisë;
  • Financimi shtetëror i dyfishtë është i ndaluar - për projekte / ngjarjet për të cilat subjektet juridike aplikojnë, nuk lejohet të kenë marrë mjete nga ndonjë institucion tjetër shtetëror ose lokal, nuk lejohet të kanë fletëparaqitje aktive për mjetet për të cilën presin përgjigje nga ndonjë institucion tjetër shtetëror ose lokal dhe nëse projekti miratohet për të njëjtin nuk lejohet në të ardhmen të paraqesin fletëparaqitje për mjete në ndonjë institucion tjetër shtetëror ose lokal;
  • Aplikuesi duhet ti ketë të shlyer të gjitha detyrimet ndaj shtetit (dëshmohet me vërtetim nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për taksat publike të paguara për vitin 2020, sipas ligjit);
  • Fletëparaqitjet me dokumentacion jo të plotë ose të pranuara pas përfundimit të afatit të paraparë nuk do të merren parasysh;
  • Personat juridik të themeluar në vitin 2021 nuk kanë të drejtë të marrin pjesë;
  • Personi juridik nuk duhet të ketë procedurë të hapur falimentimi dhe të ketë procedurë të hapur likuidimi (këto informacione Qeveria do t’i sigurojë në mënyrë të pavarur për secilin prej aplikuesve dhe nuk kanë nevojë të paraqesin vërtetime);
  • Personit juridik nuk duhet t’i shqiptohen ndëshkime dhe sanksione vijuese nga Regjistri i ndëshkimeve (këto informacione do të sigurohen nga Qeveria në mënyrë të pavarur për secilin prej aplikuesve dhe për këtë nuk ka nevojë të paraqesin vërtetime):
    • ndëshkim dytësor, ndalesë për pjesëmarrje në procedura për thirrje publike, dhënien e marrëveshjeve për furnizime publike dhe marrëveshje për partneritetit publiko-privat;
    • ndëshkim dytësor, ndalesë e përkohshme ose e përhershme për kryerjen e veprimtarisë së caktuar;
    • sanksion kundërvajtës, ndalesë për kryerjen e profesionit, veprimtarisë ose detyrës, përkatësisht ndalesë e përkohshme për kryerjen e veprimtarisë së caktuar (me aktgjykim fuqiplotë).
  • Fletëparaqitjet dhe bashkëngjitjet e dorëzuara nuk kthehen.

​​​​​​07. Rregullat për organizimin e ngjarjeve:

  • Të gjitha ngjarjet duhet të organizohen në mënyrë rigoroze në përputhje me protokollet zyrtare për mbrojtje nga KOVID-19, që do të jenë aktive ditën e realizimit të ngjarjes. Shkelja e këtyre rregullave do të shkaktojë sanksione ligjore dhe financiare;
  • Ngjarjet nuk duhet të përmbajnë gjuhë të urrejtjes, nacionalizëm, homofobi, ksenofobi, anti-vaksinim, irredentizëm. Shkelja e këtyre rregullave do të shkaktojë sanksione ligjore dhe financiare;
  • Organizatori duhet të sigurojë tre data të propozuara për realizimin e ngjarjes së tij (përkatësisht për secilën nga ngjarjet në kuadër të propozim-projektit) në tre muaj të ndryshëm në periudhën qershor - shtator. Organizatori duhet të shënojë preferencë për secilën nga tre datat e propozuara, përkatësisht të shënojë datat me zgjedhjen e parë, të dytë dhe të tretë. Organizatori duhet të pajtohet dhe të jetë i gatshëm për të realizuar ngjarjen në ndonjë nga tre datat e propozuara, dhe zgjedhja e datës së realizimit do të njoftohet në bazë të kalendarit të përgjithshëm të ngjarjeve për realizimin e këtij programi, të përgatitur nga Qeveria dhe të komunikuar me secilin nga organizatorët aty për aty para nënshkrimit të marrëveshjeve;
  • Gjatë organizimit të ngjarjeve që parashikohet publik me prani fizike, organizatori detyrimisht duhet të organizojë sistem me bileta për pjesëmarrje të publikut, ku çmimet e biletave duhet të jenë simbolike dhe të pranueshme për publikun e gjerë, përkatësisht ndërmjet 0 dhe 200 denarë për ngjarjet e projekteve të mëdha, ndërmjet 0 dhe 150 denarë për ngjarjet e projekteve të mesme dhe ndërmjet 0 dhe 100 denarë për ngjarjet e projekteve të vogla;
  • Organizatori mund, në bashkëpunim me partnerët e mediave, të ftojë persona të tretë si partnerë në projekt dhe të përdorë sponsorizimin e tyre (me përjashtim të institucioneve shtetërore), por pjesëmarrja e sponsorizimit të tillë nuk duhet të rrezikojë rregullat themelore për organizimin e ngjarjeve;
  • Organizatori detyrimisht duhet të respektojë rregullat në lidhje me identitetin vizual dhe standardet grafike të shënimit "30 vjet pavarësi e Maqedonisë së Veriut" të cilat do të përgatiten nga Qeveria. Këto rregulla nuk do të ndikojnë në përmbajtjen e ngjarjeve, por organizatori ka për detyrë të shfaq dukshëm identitetin vizual të programit si parësorë.

08. Vlerësimi i fletëparaqitjeve të pranuara:
Ngjarjet e propozuara i vlerëson komisioni i përbërë prej tre persona nga radhët e punonjësve të Qeverisë. Gjatë vlerësimit të pjesës së përmbajtjes së fletëparaqitjeve, anëtarët e komisionit domosdoshmërish do të marrin parasysh mendimin profesional të dy anëtarëve të jashtëm të cilët janë profesionist në fushën e organizimit të ngjarjeve dhe produksion të përmbajtjeve publike.

Fusha dhe kritere të vlerësimit:

A) Kapaciteti organizativ

  • struktura organizative, burimet dhe përvoja e nevojshme për zbatimin e ngjarjes së propozuar;

B) Ulje e të ardhurave për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019 (kjo fushë nuk do të zbatohet në vlerësimin e personave juridikë të themeluar në vitin 2020);

C) Planifikimi i buxhetit, proporcionaliteti dhe racionaliteti i shpenzimeve

  • përvoja në zbatimin e buxheteve në vëllimin për të cilën aplikohet, plani i shpenzimeve dhe përshtatshmëria e tij me aktivitetet e propozuara;

Ç) Cilësia e përmbajtjes së projektit të propozuar

  • Cilësia e përmbajtjes së ngjarjes dhe se si është në përputhje me temën dhe qëllimet e përcaktuara, përzgjedhja e interpretuesve dhe nëninterpretuesve dhe kapacitetet e tyre për të zbatuar programin e propozuar, vëllimin (numrin dhe strukturën) e publikut tek i cili organizatori planifikon të arrijë dhe planin për realizimin e arritjes së projektit.

09. Dokumentacioni i detyrueshëm për aplikim:

  • Fletëparaqitja dhe Formulari i plotësuar me propozim - projektin për mbështetje financiare për ngjarje publike - një person juridik mund të aplikojë me më shumë dy (2) fletëparaqitje përkatësisht dy propozim - projekte, në më shumë dy (2) kategori të ndryshme, por mund t’i miratohet vetëm një nga fletëparaqitjet (mund të shkarkohet nga www.vlada.mk/oglasi - Fletëparaqitja, Formulari, Tabela me shpenzime);
  • Lista e interpretuesve dhe nëninterpretuesve vendas. Së bashku me listën, paraqiten edhe marrëveshja/e për bashkëpunim ose memorandum/e për mirëkuptim me një ose më shumë interpretues vendas, përkatësisht me të gjithë interpretuesit e parashikuar në projekt, si dhe marrëveshja/e për bashkëpunim ose memorandum/e për mirëkuptim me të gjithë nëninterpretuesit me të cilët aplikuesi planifikon të realizojë projektin;
  • Portofol, përkatësisht listë me përshkrim të shkurtër të ngjarjeve të realizuara të llojit të njëjtë ose të ngjashëm të organizuar nga personi juridik, mbështetur nga lidhje aktive në njoftimet në internet ku mund të shihet se ngjarjet publike janë realizuar më parë dhe ku mund të shihen specifikat themelore të ngjarjeve të realizuara;
  • Plani për publikun - plan me vëllim të projektuar (numri dhe struktura) e publikut (offline dhe / ose online) në të cilin organizatori planifikon të arrijë dhe mënyra e realizimit të arritjes së projektit te publiku;
  • Marrëveshja/e për bashkëpunim (ose memorandum/e për mirëkuptim) me një ose më shumë mediume ose platforma mediatike dixhitale (mediume tradicionale ose të reja);
  • Ekzemplarë të gjendjes aktuale nga regjistrimi në regjistrin e personave të tjerë juridik për regjistrimin e personit juridik jo më të vjetër se gjashtë muaj; (mund të aplikohet në mënyrë elektronike ose drejtpërdrejtë në Regjistrin Qendror);
  • Ezemplarë të llogarisë përfundimtare (bilanci i gjendjes dhe bilanci i suksesit) për vitin 2020 dhe ekzemplarë të llogarisë përfundimtare (bilanci i gjendjes dhe bilanci i suksesit) për vitin 2019.
  • Vërtetim nga Drejtoria e të Ardhurave Publike për taksa publike të paguara për vitin 2020 në përputhje me ligjin (mund të shkarkohet në mënyrë elektronike ose drejtëpërdrejtë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike);
  • Për propozimet për ngjarje që përfshijnë publik me prani fizike, aplikuesi duhet të bashkëngjes Planin për zbatimin e protokolleve KOVID-19 i cili përfshin mënyrën e organizimit të shërbimit të kujdestarisë;
  • Listimi i punonjësve - rishikimi i regjistrimeve / çrregjistrimeve në sigurimin social të detyrueshëm për subjekte afariste (fletëparaqitja mund të merret në Agjencinë e Punësimit ose në mënyrë elektronike përmes portalit APRMV);
  • Deklaratë origjinale me shkrim e noterizuar nga personi përgjegjës i subjektit juridik, që parashtruesi nën përgjegjësinë morale, materiale dhe penale garanton për saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave të shënuara në fletëparaqitje dhe dokumentacionin e paraqitur, duke përfshirë edhe që aplikuesi për të njëjtin projekt / ngjarje nuk ka marrë mjete nga ndonjë institucion tjetër shtetëror ose lokal dhe nuk ka asnjë fletëparaqitje aktive për të cilën pret përgjigje në ndonjë institucion tjetër shtetëror ose lokal dhe nëse projekti / ngjarja miratohet për të njëjtin në të ardhmen nuk do të paraqes fletëparaqitje për mjete në ndonjë institucion tjetër shtetëror ose lokal; (shembulli për deklaratën mund të shkarkohet në www.vlada.mk/oglasi).

10. Mënyra dhe afati i aplikimit:
Thirrja publike dhe formularët për Thirrjen publike për mbështetje financiare për industrinë dhe operatorët për organizimin e ngjarjeve janë në dispozicion në www.vlada.mk/oglasi

Formularët e plotësuar dorëzohen në ekzemplarë origjinal, të vërtetuar dhe nënshkruar nga personi përgjegjës i subjektit së bashku me dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me këtë thirrje publike.
Fletëparaqitja dhe Formulari së bashku me dokumentacionin e plotë dorëzohen në një zarf të mbyllur me postë në adresën: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Sekretariati i Përgjithshëm, Bul. "Ilinden" nr. 2, 1000 Shkup ose përmes dorëzimit në arkivin e Qeverisë çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 16:00.
Në pjesën e përparme të zarfit në këndin e sipërm të majtë shkruani "MOS HAP" dhe poshtë tij "Për thirrjen publike për mbështetje financiare për industrinë dhe operatorët për organizimin e ngjarjeve".
Fletëparaqitjet që nuk përmbajnë të dhënat e kërkuara në këtë thirrje publike do të konsiderohen të pakompletuara dhe nuk do të merren parasysh.
Afati për dorëzimin e fletëparaqitjeve është më së voni deri më 6 maj 2021, në ora 16:00. 

Për informacione shtesë, kërkuesit mund të kontaktojnë në e-mail konkursi@vlada.gov.mk.

Shkarkoni dokumentet shoqëruese në vazhdim:

ShkarkoFormularin

ShkarkoFletëparaqitje

ShkarkoTabela me shpenzime

ShkarkoShembull nga deklarata me shkrim e noterizuar