Kryeministri Zoran Zaev pas marrjes së dozës së parë të vaksinës: Është e rëndësishme pjesëmarrja në këtë proces për imunizim masiv që më shpejtë të arrijmë imunitet kolektiv

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot në pikën e vaksinimit në Sallën e Sportit “Boris Trajkovski” e morri dozën e parë të vaksinës për mbrojtje nga virusi korona.

Pas marrjes së vaksinës, Kryeministri Zaev dha deklaratë për media të cilën ua përcjellim në tërësi:

“Sapo kreva obligimin tim personal por edhe qytetar, mora dozën e parë të vaksinës “Sinofarm”, përkatësisht ajo që momentalisht ishte në dispozicion kur më erdhi radha, në përputhje me planin nacional për imunizim. Ndjehem shkëlqyeshëm dhe do ta vazhdoj agjendën time ditore edhe në orët e pasdites së sotme.

Me dozat e vaksinës që arritën javën e kaluar, si dhe me të gjitha sasitë e dakorduara dhe të konfirmuara që do të arrijnë në periudhën e ardhshme besoj se deri në fillim të verës do të kemi përqindje të lartë të popullatës që do të jetë e vaksinuar dhe ajo do të sjellë në ndryshim të pasqyrës së epidemisë te ne.

I inkurajoj të gjithë qytetarët e vendit tonë, të gjithë ata që deri më tani nuk  e kanë bërë këtë, të paraqiten për termin për vaksinim në ueb faqen „vakcinacija.mk“ dhe të sigurojnë mënyrën e vetme efikase për mbrojtje nga virusi korona.

Vaksinat janë të sigurta, të kontrolluara, të testuara dhe me të vërtetë, sa më shpejtë të përfundojë procesi i imunizimit, aq më shpejtë do të përfundohet kjo luftë me armikun e padukshëm pandeminë nga COVID-19.

Është e rëndësishme që në mënyrë masive të merret pjesë në këtë proces për imunizim masiv për të ndryshuar pasqyrën e tërësishme të epidemisë në aspekt pozitiv dhe ngadalë të arrijmë imunitet kolektiv.

Sipas shembullit në pikën e vaksinimit në Sallën e Sportit “Boris Trajklovski”, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me komunat, formuan pika rajonale të vaksinimit shtesë për vaksinim masiv kundër COVID-19 në Manastir, Ohër, Shtip, Kavadar, Tetovë dhe Kumanovë, ndërsa pika të tilla të vaksinimit shumë shpejtë do të hapen edhe në Veles dhe Prilep.

Patjetër, i gjithë ky proces duhet të shkojë paralelisht me respektimin e masave për mbrojtje personale, deri sa epidemiologët të mos sjellin rekomandime tjera.

Përgëzoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjitha palët që janë pjesë e procesit të vaksinimit për organizimin e shkëlqyer dhe siç e vërejta, gjithçka po zhvillohet në rend të mirë.

Vetëm me përpjekje të përbashkët do të dalim fitues ndaj së keqes planetare të quajtur COVID-19”.