“Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, lufta kundër diskriminimit dhe dhunës janë përparësitë tona kryesore dhe, për atë qëllim, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë pjesë e projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, veçanërisht në komponentin e të drejtave të njeriut dhe sanksioneve alternative”, theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, në takimin e sotëm të punës me zbatuesit e projektit, Mojca Kuzmiçki dhe Diter Shindlauer.
Qëllimi kryesor i këtij projekti të BE/IPA është përforcimi i kapaciteteve të institucioneve relevante për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Ministrja Shahpaska theksoi se mbështetja që MPPS-ja do të marrë, veçanërisht në fushën e parandalimit të dhunës me bazë gjinore dhe diskriminimit gjinor, mbrojtjen e fëmijëve, si dhe ndërtimin e kapaciteteve për parandalimin e dhunës në familje, është shumë e rëndësishme.
Ajo shprehu gatishmërinë e Ministrisë dhe shërbimeve të saj për përfshirje aktive në aktivitetet e projektit.
Përmes grantit të projektit pesëvjeçar do të mundësohet përforcimi i kapaciteteve për zbatimin e parimeve të bazuara në të drejtat e njeriut, përmirësimi i kapaciteteve për zbatimin e politikave për të drejtat e njeriut dhe sistemi i mbrojtjes së fëmijëve, përmirësimi i situatës lidhur me dhunën me bazë gjinore dhe diskriminimin me bazë gjinore, si dhe ndërgjegjësimi për të drejtat e njeriut dhe institucionet që i mbrojnë ato.