Vuçiq, Rama dhe Zaev në deklaratën trepalëshe: Mbetemi akoma të përkushtuar në rrugën tonë drejt BE-së dhe bashkëpunimit rajonal – Vendeve të Ballkanit Perëndimor u nevojitet BE-ja, po aq sa ato i nevojiten BE-së

 
Në kuadër të nismës për bashkëpunim të përforcuar rajonal të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot mbajtën takim pune përmes lidhjes me video konferencë, në të cilën e përcaktuan deklaratën trepalëshe, gjegjësisht deklaratën e përbashkët “Ballkan Perëndimor Evropian”.

Deklaratën trepalëshe të Presidentit Vuçiq dhe kryeministrave Rama dhe Zaev ua përcjellim në tërësi:

Ballkan Perëndimor Evropian

“Sot u bashkuam për të biseduar rreth hapave të ardhshëm për bashkëpunim rajonal të përbashkët si rrugë vitale para për vendet tona, për Ballkanin Perëndimor, për Evropën dhe për rrugën evropiane si tërësi.

Vendet tona janë pjesë e Evropës dhe gjithmonë do të jenë. Vendeve të Ballkanit Perëndimor u nevojitet BE-ja, aq sa edhe ato i nevojiten BE-së.

Mossuksesi i vazhdueshëm i BE-së për të plotësuar premtimet dhe pamundësia e saj për të lëvizur para me hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është në kundërshtim me vullnetin evropian të vendeve tona dhe kundër interesave të vetë BE-së.

Historia jonë dhe ardhmëria jonë janë evropiane dhe jetojmë në rajon të rrethuar me kufijtë e Bashkimit Evropian. Konteksti në të cilin gjendemi është sfidues dhe i njëjti është shkaktuar nga status kuo-ja shumë e gjatë e Unionit vis-a-vis procesi ynë i integrimit në BE. Megjithatë në mbetemi edhe më të përkushtuar në rrugën tonë drejt BE-së dhe bashkëpunimin rajonal.

Duam më herët, se sa më vonë, të shohim se katër liritë e BE-së lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit – zbatohen në gjithë rajonin. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në duart tona të lëvizim drejt këtij qëllimi përmes fuqisë së shembullit tonë. Në këtë frymë, ne do ta shfaqim mbështetjen tonë të plotë për tregun e përbashkët rajonal në Samitin e Procesit të Berlinit më 5 korrik.

E dimë se vetëm me punë të përbashkët dhe nxitje të bashkëpunimit rajonal në kuadër të nismave të ndryshme rajonale – Treg rajonal i përbashkët, Shengen rajonal, Korridore të gjelbra ose në kuptim më të gjerë përmes Procesit të Berlinit – mund t’ju sjellim rezultate qytetarëve tanë.

Si rajon me afër 18 milionë persona mund t’i përforcojmë ekonomitë tona, të rrisim mirëqenien e njerëzve tanë dhe të sjellim investime më të mëdha,  gjë që përndryshe nuk do të ishte e mundur nëse nuk do ta bënim atë individualisht.

Më 29 korrik do të takohemi në Shkup për ta konfirmuar avancimin dhe për të nënshkruar marrëveshje që dalin nga zbatimi i detyrimeve nga Samiti i Berlinit, mes tre vendeve tona. Marrëveshje për bashkëpunim dhe ndihmë në rast të fatkeqësive natyrore, si dhe për lehtësimin e tregtisë, importin dhe eksportin mes vendeve tona.

I ftojmë dhe i inkurajojmë kolegët tanë në rajon të nënshkruajnë dhe të zbatojnë marrëveshje të ngjashme, në mënyrë që vizioni i hapësirës së përbashkët politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor do të bëhet pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së qytetarëve tanë përmes tregut të vetëm. Në këtë frymë shpresojmë që do ta përforcojmë procesin e bashkëpunimit mes ne, në tërë rajonin dhe do të vazhdojmë të japim gjithçka nga vetja që kjo të ndodh.

Duke pasur parasysh edhe vështirësitë që u shkaktuan nga shtyrjet në procesin e zgjerimit, ne besojmë se akoma mund të identifikohen mënyra të reja, fusha politike dhe instrumente financiare, si dhe të kemi përforcim të atyre ekzistuese, në mënyrë që do të përmirësohet kontributi ynë ndaj Evropës, raporti ynë me BE-në dhe gradualisht rajoni të integrohet drejt Tregut të vetëm evropian.

Prandaj, ne vendosëm që sot të kërkojmë nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëjnë një hap bashkë me ne dhe kolegët tanë nga i gjithë rajoni. Qëllimi ynë është të zhvillojmë investime, projekte afatshkurtra për përmirësimin e  mjedisit jetësorë dhe për shfrytëzimin më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Kjo do të ishte pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe planit të investimeve të BE-së dhe Agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Vendet tona kanë një potencial të madh për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm në këtë sektor. Ne do të kërkojmë mbështetje praktike për të zbuluar cilat projekte munden, në një masë më të madhe, ta bëjnë rajonin tonë një burim të energjisë së ripërtëritshme për qytetarët tanë dhe për të ardhmen e energjisë së gjelbër të BE-së. Shpresojmë të mundemi ta publikojmë përparimin me hapa konkrete deri në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet këtë vjeshtë.

 Ne e njohim plotësisht dhe po e ritheksojmë rëndësinë e burimeve të rajonit tonë për tranzicionin e gjelbër në Evropë. Prandaj, ne kërkojmë që Bashkimin Evropian, me partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të jenë pjesë e zhvillimit të këtyre burimeve në mënyra që do të ndihmojnë BE-në të realizojë planet e tyre duke tërhequr më shumë investime përmes rajonit tonë, duke e bërë pjesë të tranzicionit të gjelbër evropian. Mirëqenia dhe lidhjet ekonomike të popujve tanë do të rriten atëherë kurë  do të integrohemi në zinxhirët evropiane për furnizim dhe do të kontribuojmë për autonominë strategjike të BE-së.

Për këtë qëllim ne jemi të përgatitur ta bëjmë pjesën tonë së bashku dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për t'i shndërrojmë këto përpjekje të përbashkëta në një forcë të përbashkët për të përballuar sfidat e së ardhmes si një rajon i plotë i përbërë nga gjashtë aktorë.

Shqipëria është Evropë. Maqedonia e Veriut është Evropë. Serbia është Evropë. Ballkani Perëndimor është Evropë. Ne do ta përfundojmë punën e vështirë që ta bëjmë këtë pjesë të përditshmërisë”.