Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ambasadën e Republikës së Francës në Shkup ishin nikoqir të konferencës së parë „Diplomacia e sportit: nga performanca në ndikim".
Në konferencë u shkëmbyen mendime lidhur me përfitimet që ofron diplomacia dhe sporti në përforcimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet vendeve, mundësitë për afirmim, bashkëpunim, bashkim dhe shkëmbim përvojash.
Ministri Osmani theksoi se duke e njohur mundësinë për zhvillim dhe intensifikim të marrëdhënieve ndërkombëtare me ndihmën e diplomacisë së sportit, do të bëhen përpjekje për të kontribuar në afirmimin, krijimin dhe thellimin sa më të mirë të partneriteteve të ndërsjella afatgjate me vendet tona mike në botë, në mënyrën se si po e bëjmë sot me Francën, duke shtuar se „nevojitet përpjekje dhe strategji e përshtatshme që potenciali i sportit të drejtohet drejt realizimit të interesave dhe prioriteteve nacionale”.
Në konferencë u theksua se pavarësisht nëse aktivitetet sportive janë amatore apo profesionale, ato kanë ndikim pozitiv, duke krijuar mundësi shtesë për shkëmbim ndërkulturor, e me këtë edhe vlera të reja.
Ambasadori i prezantoi dimensionet e ndryshme të diplomacisë së sportit dhe mbi bazë të kësaj kujtoi se vendi i tij është ndër të parët në botë për nga zhvillimi i saj, duke theksuar se Presidenca franceze me Këshillin e Bashkimit Evropian i kushton rëndësi të madhe kësaj teme, përmes dy ngjarje kyçe, njëra e mbajtur këtë muaj në Paris dhe tjetra e planifikuar për në muajin mars në Strasburg. Në fund, ai e përkujtoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy vendeve tona në fushën e sportit, veçanërisht përmes mbështetjes për zhvillimin e sportit malor, që është njëkohësisht një mundësi e shkëlqyer për avancimin dhe promovimin e trashëgimisë së bukur natyrore të Maqedonisë së Veriut.
Folësit shkëmbyen gjithashtu praktika të mira dhe histori suksesi nga aplikimi i diplomacisë sportive në Francë, në kuadër të organizimit të Lojërave Olimpike Verore, që planifikohet të mbahen në Paris 2024, si dhe për tërheqjen e ngjarjeve të tjera sportive ndërkombëtare në Francë.