Kryeministri Kovaçevski: Dialogu për rritjen e pensioneve dhe metodologjinë e re fillon të premten

Në deklaratën për media, Kryeministri Kovaçevski theksoi se nga ana e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe ministritë e tjera dikasteriale, tani më është caktuar takimi i parë, në të cilin do të bisedohet për metodologjinë e cila do të ofrojë rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të pensioneve në të ardhmen. Gjithashtu, pritet që metodologjia ta mbajë stabilitetin e arritur në Fondin Pensional.

Procesi do të zhvillohet përmes dialogut të hapur dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të të gjitha palëve, ashtu siç u zhvillua edhe procesi për rritjen e pagës minimale, proces i cili përfundoi me një marrëveshje historike të arritur për të mirën e të gjitha palëve, theksoi Kovaçevski.

“Sa i përket metodologjisë, tashmë kemi pasur rritje të pensioneve dhe do të pasojë një rritje tjetër e pensioneve, por përmes bisedimeve dhe kërkesave të deritanishme të shoqatave të pensionistëve, si dhe përmes analizave që janë bërë më parë, tashmë jemi afër bisedimeve që duhet të rezultojnë me metodologji të re për rritjen dhe rregullimin e pensioneve. Është e rëndësishme sepse në këtë mënyrë do të mundësohet rritje e vazhdueshme dhe adekuate e pensioneve sepse pensionistët e meritojnë”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se tashmë janë duke u bërë analiza edhe në raport me pakon e mbështetjes financiare për pensionistët, duke pasur parasysh se jemi në një krizë energjetike e cila sjell pasoja negative ekonomike. Analizat do të bëjnë të mundur përcaktimin e masës sipas kategorive të ndryshme të pensioneve.