Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, sot bashkë me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, inspektuan aktivitetet e punës në aksin rrugor Krupishte - Koçan nga autostrada e shpejtë Shtip - Koçan.
Gjatë vizitës në terren, ku aktivitetet ndërtimore zhvillohen me një ritëm të intensifikuar, u shpreh kënaqësia dhe siguria për progresin e përgjithshëm prej 75% të aksit rrugor në gjatësi prej 14 km dhe u theksua se në kohën e pandemisë Kovid-19 intensivisht punohej në ndërtimin dhe rikonstruksionin e akseve kryesore rrugore në vend, ndërsa këtë vit ruhet edhe një tempo dhe dinamikë e fortë.
Në vazhdim e përcjellim deklaratën e Kryeministrit Kovaçevski në mënyrë të plotë:
“Ndërtimi i infrastrukturës bashkëkohore rrugore në vend është një nga prioritetet e kësaj Qeverie dhe ne edhe më tej mbetemi tërësisht të përkushtuar dhe të angazhuar maksimalisht në këtë plan. Siç ka ndodhur vitet e kaluara, kur edhe në kohë të pandemisë punohej intensivisht në ndërtimin dhe rikonstruksionin e akseve kryesore rrugore në vend edhe këtë vit ruajmë atë tempo dhe dinamikë të fortë.
Rezultatet e këtyre përpjekjeve janë veçanërisht të dukshme në këtë pjesë lindore të vendit. Punimet ndërtimore në zonën e Shtipit, si pikë qendrore e rajonit lindor, zhvillohen me një ritëm të intensifikuar dhe ndryshojnë pamjen e nyjeve bashkëkohore dhe zgjidhjeve rrugore drejt Koçanit, Radovishit dhe Strumicës, drejt Probishtipit dhe drejt qendrave të tjera urbane në lindjen tonë.
Sot inspektuam punimet në fazën e dytë të aksit rrugor Krupishte – Koçan, si pjesë e autostradës së re të shpejtë Shtip – Koçan.
U siguruam se është realizuar një progres i përgjithshëm i punimeve ndërtimore prej 75% të aksit rrugor të gjatë 13.7 kilometrash. Tetë kilometra nga aksi rrugor tanimë u mbulua me shtresën e parë të asfaltit, ndërsa në pjesën tjetër punimet tokësore kanë përfunduar.
Konstruksionet prej betoni të urave dhe mbikalimeve kanë përfunduar deri në 80% dhe tani përgatiten punimet përfundimtare të hidroizolimit.
Procedura për blerjen dhe vendosjen e rrethojës mbrojtëse elastike është duke u zhvilluar, ndërsa në akset afër Spançevës janë duke u kryer punë përgatitore për vendosjen e ndriçimit dhe pritet kyçja në rrjetin e furnizimit me energji elektrike.
Është duke u përgatitur furnizim për sinjalizimin e pajisjeve rrugore. Po instalohen kabllot optike.
E gjithë kjo na tregon se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, së bashku me realizues dhe nënrealizuesit, janë duke i respektuar afatet dhe se në muajt e ardhshëm do të përfundojë ky aks rrugor i rrugës së shpejtë Shtip - Koçan.
Aksi rrugor Shtip – Krupishte është në përdorim. Gjatësia totale e rrugës së shpejtë nga Shtipi për në Koçani është 28 kilometra, për të cilat investojmë 37,3 milionë euro. Një pjesë e këtyre fondeve janë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që njohu një investim të qëndrueshëm, pjesë e rrugëve anësore të Korridorit 8.
Me ndërtimin e kësaj rruge bashkëkohore të shpejtë, ne po krijojmë një lidhje të shpejtë rrugore mes Lindjes dhe pjesës qendrore të vendit. Ne ofrojmë lidhje të shpejtë dhe të sigurt me pikat kufitare me Bullgarinë.
Kur bëhet fjalë për rrjetin rrugor, pjesa lindore e vendit tonë ka ndryshuar tërësisht.
Është përfunduar aksi rrugor i shpejtë Shtip - Radovish nga Tre Çeshmat deri në nyjen lidhëse për Radovish. Rruga Probishtip – Krupishte është rehabilituar plotësisht. Nuk ka pothuajse asnjë lidhje rrugore që nuk është rehabilituar në këtë rajon.
Infrastruktura bashkëkohore rrugore është e rëndësishme edhe për hyrjen e investitorëve të rinj, për rritjen e vendeve të punës, por edhe komunikimin më të mirë mes qytetarëve.
Ndërtimi i rrugëve është një prioritet strategjik për të cilin ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për shkak të zhvillimit të shpejtë ekonomik të këtij rajoni dhe tërë vendit”.