Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski prej sot në dy ditët e ardhshme do ta kryesojë delegacionin qeveritar në Samitin Investues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Ballkanin Perëndimor i cili do të mbahet në Londër.
Kryeministri Kovaçevski së bashku me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqin dhe ministrin e Financave Fatmir Besimin gjatë samitit, përveç pjesëmarrjes në sesionin plenar të samitit me të cilin kryeson kryetarja e BERZH-it, Odil Reno-Baso, do të realizojnë edhe disa takime të tjera pune me përfaqësues të lartë të bankës.
Gjatë Samitit Investues të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Londër, Kovaçevski është paraparë të takohet edhe me përfaqësues të lartë të BE-së, si dhe të realizojë disa takime dypalëshe me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Si pjesë të agjendës së samitit, shtojnë, Kovaçevski, së bashku me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor pjesëmarrës në samitin e BERZH-it, do të mbajë takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Xhonsonin.
Në kuadër të vizitës në Londër, kryeministri Kovaçevski dhe anëtarët e delegacionit të Maqedonisë së Veriut është paraparë të realizojnë edhe takime të tjera në organizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.