Kovaçevski: Është arritur marrëveshje për një rritje rekord e pensioneve në historinë e Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në deklaratën për mediat kumtoi se është arritur marrëveshje për një rritje rekord e pensioneve në historinë e Maqedonisë së Veriut.

Sipas metodologjisë së re të miratuar sipas modelit zviceran, harmonizimi i pensioneve do të lidhet me rritjen e shpenzimeve të jetesës për 50% dhe pagën mesatare, gjithashtu në lartësi prej 50%.

Me metodologjinë e re, pensionistët me pension mesatar që për momentin është 16.300 denarë, nga muaji shtator e tutje çdo muaj do të kenë mesatarisht 900 denarë më tepër në llogarinë e tyre dhe kjo është një rritje rekord e pensioneve në historinë e Maqedonisë së Veriut.

Në deklaratën për mediat, Kovaçevski shtoi se në vitin 2022 për 12 muaj, bashkë  me ndihmën  financiare të drejtpërdrejtë,  mesatarisht pensionistët do të kenë gjithsej rreth 12.000 denarë në vit plus në buxhet në krahasim me vitin 2021.

Harmonizimi i pensioneve, tha Kovaçevski, do të bëhet dy herë në vit, gjegjësisht atëherë kur Enti i Statistikave do t’i japë të dhënat zyrtare.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se përveç metodologjisë së re, është arritur marrëveshje për një pako të ndihmës financiare për pensionistët nga 1000 denarë për muajt prill, maj dhe qershor.

“Këto 3000 denarë shtesë për këta tre muaj janë shumë të mirëpritur në këtë periudhë të thellimit të krizës së energjisë elektrike”, tha Kovaçevski.

Kjo u arrit në takimin e sotëm, në të cilin morën pjesë zëvendëskryetari i ngarkuar për Çështjet Ekonomike Fatmir Bytyqi, ministri i Financave Fatmir Besimi dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, me të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë edhe Unionin e pensionistëve dhe Partinë e pensionistëve që paraqet realizim i premtimit të Kryeministrit Kovaçevski në fjalimin e tij për zgjedhjen e Qeverisë aktuale.

Si plotësim i këtij vendimi, ministri i Financave Fatmir Besimi theksoi se mbështetja  financiare, si dhe rritja e pensioneve sipas metodologjisë së re, do të paguhen nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.

Me këtë, shtoi Besimi, konfirmohet se fondi pensional është stabil dhe se kjo është rezultat i politikave të mira ekonomike të Qeverisë dhe menaxhimit të suksesshëm të Fondit dhe rezervave të krijuara, si dhe rritjes së pagesës dhe të ardhurave nga kontributet në vitin 2021, nga ana e DAP, si dhe rritjes së pritshme të punësimit dhe të ardhurave shtesë nga kontributet.

Të gjitha këto Qeveria i realizon pa i rritur normat e kontributeve të pensioneve, që do të thotë se nuk do të ketë ngarkesë shtesë për biznesin, tha ministri i Financave Besimi.