Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në konferencën dyditore “Lidhja mes mirëqenies së fëmijëve dhe arritjeve të tyre akademike”, e cila sot dhe nesër mbahet në Shkup, si iniciativë e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut , Ambasadës së Britanisë në Shkup, Fondi për Fëmijë pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Qendra Maqedonase për Edukim Qytetar (QMEQ).
Në hapjen solemne të konferencës, krahas Kryeministrit Kovaçevski, fjalim mbajtën edhe ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Rejçëll Gallovej dhe përfaqësuesja e UNICEF-it në vendin tonë, Patricija Di Xhovani.
Kryetari i Qeverisë Kovaçesvski duke theksuar se për të nga aspekti prindëror dhe si profesor, rëndësi të madhe ka mirëqenia e nxënësve dhe studentëve gjatë edukimit të tyre, ndërsa nga pikëpamja si Kryeministër konsideron se konferenca do të kontribuojë për njohuri dhe rekomandime serioze, të cilat janë të mirëseardhura në krijimin e politikave sociale për fëmijët në procesin arsimor dhe sinergjinë e këtyre politikave nëpërmjet programeve të ministrive dikasteriale, për punë dhe politikë sociale dhe për arsimin dhe shkencën.
“Të gjithë fëmijët, pa përjashtim, meritojnë fillimin më të mirë të mundshëm në jetë. Mjediset e para që ua mundësojnë këtë janë institucionet edukative-arsimore miqësore. Është dëshmuar se fëmijët që rriten në një mjedis stimulues shtëpiak dhe që kanë mundësi për programe të organizuara në arsimin parashkollor dhe fillor, arrijnë rezultate më të mira dhe kanë perspektiva më të mira në jetë”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke theksuar se përgjegjësia jonë është të sigurojmë zhvillim solid sociale dhe emocional në vitet e para të fëmijëve, të cilët më vonë në moshën madhore do të bëhen qytetarë të emancipuar, fillimisht për veten e më pas për komunitetin e tyre.
Duke theksuar rëndësinë e shkollave si mjedise shoqërore ku fëmijët ndërtojnë karakteret e tyre dhe fitojnë pavarësinë, duke zhvilluar marrëdhënie domethënëse mes tyre dhe mësuesve, Kryeministri, krahas njohurive akademike dhe formale, vlerësoi nevojën e kurrikulave cilësore jashtëshkollore për demokraci, barazi dhe drejtësi sociale, analiza kritike, të rëndësishme për rolin e qytetarëve në marrjen e masave për ndryshime pozitive.
“Prandaj vendimi për rihapjen e shkollave për edukim fizik ishte shumë i rëndësishëm. Para fillimit të konferencës, pata një takim me përfaqësuesen e UNICEF-it dhe ajo u shpreh e kënaqur që në marrjen e vendimeve të Qeverisë, ne gjithmonë udhëhiqemi nga rekomandimet e Komisionit për Sëmundjet Ngjitëse dhe sigurisht rekomandimeve të UNICEF-it si organizatë që ka një sërë studimesh empirike, veçanërisht në fushën e fëmijëve dhe procesit të tyre edukativ-arsimor”, tha Kovaçevski.
Ai shtoi se mbështetja që u japim fëmijëve gjatë zhvillimit të tyre është investimi më i madh për të ardhmen e tyre më të sigurt dhe më të begatë dhe për të ardhmen e shoqërisë.
Duke uruar punë të suksesshme, Kryeministri Kovaçevski përsëriti se pjesëmarrësit në konferencën "Lidhja mes mirëqenies së fëmijëve dhe arritjeve të tyre akademike " do të jetë ndihmë dhe përfitim i madh në përmirësimin e sistemit arsimor.
Në konferencë marrin pjesë ekspertë për arsim nga rajoni dhe më gjerë duke ndarë përvoja dhe të dhëna për njohuritë më të fundit në fushën e të mësuarit shoqëror-emocional në fëmijërinë e hershme dhe rëndësinë në rritje të teknologjisë dhe aftësive digjitale, në drejtim të ndërlidhjes së tyre me mirëqenien e përgjithshme të nxënësve dhe shëndetin mendor.
Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale, Jovana Trençevska me fjalimin e saj e hapi bllokun e diskutimeve për rëndësinë e arsimit parashkollor, nevojën për zhvillim tërësor në fëmijëri dhe rëndësia e rritjes së mësimit shoqëror – emocional në fëmijërinë e hershme.
Në ditën e dytë të konferencës, nesër, është paraparë të mbajë fjalim edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, i cili do ta hap sesionin që përfshin diskutime për atë se si sistemi edukativ të nxisë inovacion, konkurrencë dhe avancim, njëkohësisht duke u kujdesur për solidaritetin dhe mirëqenie.