Kovaçevski: 400 milionë euro mbështetje për standardin jetësor dhe stabilitetin ekonomik

Paratë po i drejtojmë atje ku ka më tepër nevojë – për mbështetjen financiare të qytetarëve dhe kompanive. Prioritet i vetëm për momentin është që të mbrojmë standardin e qytetarëve dhe të ruajmë stabilitetin ekonomik, tha Kryetari i Qeverisë  së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në rrjetet sociale.

Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij theksoi se jetojmë në një kohë të krizës së madhe ekonomike, por se me të gjitha politikat e deritanishme, masat dhe qeverisjen e përgjegjshme, Qeveria e re për vetëm 50 ditë tregoi se mund dhe mund t'i përballojë sfidat.

“Fuqishëm po i subvencionojmë qytetarët për energjinë elektrike e cila do të ishte 80% më e shtrenjtë nëse nuk do kishte subvencione, e kemi zgjidhur problemin  me ngrohjen në Shkup, financiarisht po i mbështesim kategoritë e cenueshme të qytetarëve për energjinë elektrike dhe blerjen e produkteve bazë, ndërsa përmes një sërë masash i mbajmë   të qëndrueshme çmimet e produkteve bazë. Me pakon e re prej 26 masash 400 milionë euro nga Buxheti i drejtojmë për mbështetjen e qytetarëve dhe kompanive”, ka shkruar Kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski thekson se përkundër këtyre masave të krizës, Qeveria ka rritur pagën minimale, ka një rritje rekord të pensioneve, si dhe mbështetje financiare për pensionistët.

“Dua të qartësoj se të gjithë funksionarët, të gjithë ata që punojnë dhe paguhen nga qytetarët, duhet në mënyrë sa më të përgjegjshme t’i shpenzojnë paratë e shtetit. Njëkohësisht, dua t’u dërgoj porosi qytetarëve dhe kompanive, se të gjithë kanë përgjegjësi për shfrytëzimin racional të burimeve energjetike në një kohë krize të madhe energjetike. Ky do të jetë  vit i vështirë ekonomik, por besoj fuqishëm se së bashku do ta tejkalojmë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në publikimin në rrjetet sociale.