Kovaçevski: Për vetëm 50 ditë treguam se mundemi dhe dimë të përballemi me sfidat

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në video fjalimin para publikut iu përkushtua krizës së thelluar ekonomike, si dhe pakos së 26 masave në vlerë prej 400 milionë euro, të cilën Qeveria e miratoi për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë.

 

Në vazhdim të kumtesës në tërësi e përcjellim tekstin e video fjalimit:

Të nderuar qytetarë,

Jetojmë në një kohë krize të madhe ekonomike globale që është pasojë e luftës në Ukrainë. Flukset ekonomike janë të pasigurta dhe do të varen nga zhvillimet e ngjarjeve, por ne duhet të jemi të përgatitur dhe të planifikojmë se si ta tejkalojmë këtë periudhë të turbullt.

Kur para 50 ditëve mora detyrën e Kryeministrit, thashë se ky do të jetë një vit krize plot sfida. Të vetëdijshëm për rreziqet në ekonominë dhe standardin e jetesës, i drejtuam paratë atje ku kishte më tepër nevojë - për mbështetjen financiare të qytetarëve dhe kompanive.

Prioriteti i vetëm i kësaj Qeverie për momentin është mbrojtja e standardit të qytetarëve dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik. Me të gjitha politikat e deritanishme, masat dhe qeverisjen e përgjegjshme, Qeveria e re për vetëm 50 ditë tregoi se mund dhe di të përballet me sfidat.

Ne fuqishëm po i subvencionojmë qytetarët për energjinë elektrike, e zgjidhëm problemin me ngrohjen në Shkup, i mbështesim kategoritë  e cenueshme të qytetarëve financiarisht për energjinë elektrike dhe blerjen e produkteve bazë, ndërsa përmes një sërë masash mbajmë të qëndrueshme çmimet e produkteve bazë.

Me pakon e re prej 26 masash 400 milionë euro nga buxheti po i drejtojmë për mbështetjen e qytetarëve dhe kompanive.

Pavarësisht të gjithë këtyre masave të krizës, e kemi rritur  pagën minimale në 18.000 denarë dhe kemi një rritje rekord të pensioneve, si dhe mbështetje financiare për pensionistët.

Të nderuar qytetarë,

Jam i vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë për askënd, por kriza fatkeqësisht është diçka që ka prekur të gjithë qytetarët  në Evropë dhe  në botë. Unë dhe të gjithë anëtarët e Qeverisë dhe institucioneve do të vazhdojmë me përkushtim dhe efikasitet të sjellim masa për mbrojtjen e standardit jetësor, për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për  mbështetjen ekonomisë.

Në fund, dua të dërgoj një porosi të qartë, se të gjithë zyrtarët, të gjithë ata që punojnë dhe paguhen nga qytetarët, në mënyrë sa më të përgjegjshme duhet t'i shpenzojnë paratë e shtetit. Nuk do të ketë mirëkuptim dhe justifikim për asnjë zyrtar i cili do të shpenzojë në mënyrë të papërgjegjshme buxhetin  të cilin ka në  dispozicion.

 Njëkohësisht, dua t'u dërgoj porosi qytetarëve dhe kompanive, se të gjithë kanë përgjegjësi për shfrytëzimin racional të burimeve energjetike në një kohë krize të madhe energjetike. Ky do të jetë një vit i vështirë ekonomik, por besoj shumë se së bashku do ta tejkalojmë.