Kovaçevski: Investojmë në infrastrukturë bashkëkohore rrugore

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, bashkë me ministrin për Transport dhe Lidhje,Bllagoj Boçvarski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, kontrolluan ndërtimin e rrugës së shpejtë Gradsko – Prilep, në fazën e dytë në drejtimin Farish-Drenovë. Ndërtimi i autostradës Gradsko-Prilep është i ndarë në tre pjesë: Aksi i parë është Gradsko-Drenovë ku po ashtu janë duke u zhvilluar punimet, pjesa e dytë Drenovë-Farish dhe aksi i tretë është zgjerimi i rrugës nga Prilepi në Urën e Lenishka Rekës dhe ndërtimin e korsisë së tretë në pjesën e rrugës nga f. Bellovodica deri në Kamenolom Mavrovë, për të cilën është duke u përgatitur procedurë tenderimi.

Që nga fillimi i mandatit, kjo Qeveri ka ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1.000 km rrugë. Me të gjitha investimet, qytetarët udhëtojnë më lehtë dhe më sigurt, ndërsa kompanitë i transportojnë produktet e tyre më shpejt dhe me efikasitet dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
 

Në vazhdim ua dërgojmë deklaratën e Kryeministrit Kovaçevski në tërësi.

“Të nderuar qytetarë,

Është kënaqësi e madhe për mua që sot kemi rastin të shohim se po zhvillohen  aktivitetet ndërtimore intensive për ndërtimin e autostradës Gradsko-Prilep, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme në vend ku mbi 6 mijë automjete të të gjitha kategorive kalojnë çdo ditë.

Një nga linjat më të rëndësishme ndërkombëtare që kalon përmes vendit dhe lidh rajonin me pjesën tjetër të Evropës, është Korridori 10 dhe për këtë sot me ministrin Boçvarski dhe Rustemi inspektuam punimet e ndërtimit në pjesën Drenovë -Farish.

Për ndërtimin e aksit të dytë nga Drenova deri në Farish, i cili është 10.2 km i gjatë, janë ndarë 33.6 milionë euro me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërtimi i autostradës së shpejtë Gradsko-Prilep është i ndarë në tre akse: Aksi i parë është Gradsko-Drenovë ku po ashtu janë duke u zhvilluar punimet ndërtimore. Aksi i dytë është Drenovë-Farish ku sot jemi në inspektim. Aksi i tretë është zgjerimi i rrugës nga Prilepi deri te ura në Lenishka Reka dhe ndërtimi i korsisë së tretë në pjesën rrugore nga fshati. Bellovodica deri në Kamenolom Mavrovë, për të cilën është duke u përgatitur procedurë tenderimi.

Konkretisht në këtë aks ku jemi për momentin, punët priten të përfundojnë vitin e ardhshëm. Besoj se nëse vazhdojmë me këtë ritëm, kjo fazë do të përfundojë para afatit, që do të thotë se qytetarët që e përdorin intensivisht këtë rrugë do të shkurtojnë kohën e udhëtimit dhe do të lëvizin në një aks të sigurt.

Ndryshe, vetëm dhjetë kilometra larg në këtë brez po ndërtohen dy tunele, 21 ura, 5 nënkalime, 11 mure mbajtëse, një rrethrrotullim në rrugën lokale me nyje afër Drenovës dhe një viadukt, që flet për terrenin e vështirë.

Jemi përballë një prej objekteve më karakteristike të rrugës, është tuneli i Farishit i cili ndodhet në fillim të grykës së Farishit dhe kjo është pjesa më e vështirë e rrugës. Tuneli, në të cilën është duke u zhvilluar është i përbërë nga dy tuba, një tunel majtas, në drejtim të Prilepit me gjatësi 139 metra dhe tuneli djathtas, në drejtim të Gradsko me gjatësi prej 159 metra.

Urime kompanisë kontraktore “Sinohidro” dhe mbikëqyrësit “Geing” të cilët edhe në kushtet e krizës shëndetësore dhe ekonomike arrijnë të realizojnë të planifikuarën.

Në rajonin tonë vazhdojmë me më shumë projekte. Një prej tyre dhe shumë i rëndësishëm do të jetë ndërtimi i autostradës Prilep-Manastir që duhet të ndërtohet nga Konsorciumi “Behtel dhe Enka”. Në fakt, kjo rrugë e shpejtë Gradsko-Prilep do të pasohet nga autostrada Prilep-Manastir dhe me rehabilitimin e autostradës Manastir-vendkalim kufitar do të lidhemi shpejt dhe sigurt me Republikën e Greqisë.

Janë të planifikuara dhe në vazhdim e sipër disa rehabilitime të rëndësishme në rrugët rajonale, siç është rehabilitimi i rrugës shtetërore Farishka - Prilep, ku punimet tashmë kanë filluar, më tej Manastir-Demir Hisar, Krushevë-Demir Hisar, Drugovë-Demir Hisar, Krivogashtani-Krushevë dhe Veles- Gradsko.

Janë përfunduar drejtimet rrugore nga Kazhani deri në Rotino, nga Krivogashtani deri në Zhitoshe, nga Dollneni deri në Bogomillë, si dhe nga Kavadari deri në Drenovë.

Të nderuar,

Investimet në infrastrukturën rrugore janë një nga prioritetet e kësaj Qeverie. Qëllimi ynë është që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të ndërtohet dhe të lidhet me infrastrukturë rrugore cilësore, të sigurt dhe bashkëkohore. Që nga fillimi i mandatit të saj, kjo Qeveri ka ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1.000 km rrugë. Me të gjitha investimet, qytetarët udhëtojnë më lehtë dhe më të sigurt, ndërsa kompanitë i transportojnë produktet e tyre më shpejt dhe me efikasitet dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kriza ekonomike me të cilën po përballemi kërkon fokus edhe më të madh dhe realizim më të shpejtë të investimeve kapitale. Dihet që në një krizë më e rëndësishmja është investimi në infrastrukturë, sepse ndërtimi është motori i ekonomisë. Prandaj si Qeveri jemi të fokusuar në efikasitet edhe më të madh në realizimin e projekteve infrastrukturore.

Investimet kapitale në infrastrukturë ndihmojnë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik, garantojnë produktivitet dhe punësim më të lartë, reduktojnë shpenzimet e prodhimit dhe transportit për kompanitë dhe rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve.

Analizat tregojnë se efikasiteti i Qeverisë në pjesën e realizimit të investimeve kapitale është i shkëlqyer edhe në kohë krize. Vitin e kaluar kemi realizuar 79% të investimeve kapitale dhe me të njëjtin ritëm vazhdojmë edhe këtë vit. Rrugët luajnë një rol të rëndësishëm në këto investime. Deri në fund të mandatit në vitin 2024, synimi im si Kryeministër dhe i kësaj Qeverie është që të kemi rrugë bashkëkohore dhe të sigurta që do të nënkuptojnë lëvizje më të shpejtë, por edhe një ekonomi të fortë dhe të zhvilluar.

Faleminderit."