Kovaçevski: Me Deklaratën konfirmojmë zgjedhjet në vitin 2024, koalicioni qeveritar është stabil dhe i fokusuar në ekonomi

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, mbajti takim me koalicionin qeveritar në të cilin edhe njëherë u konfirmuan dhe u riafirmuan prioritetet strategjike të Qeverisë për ballafaqim me pasojat nga kriza globale dhe koncepti për stabilitet politik të shtetit.


Në vazhdim fjalimi i tërësishëm i Kryeministrit Kovaçevski:

“Rasti i takimit të sotëm të partnerëve të koalicionit qeveritar ishte riafirmimi i prioriteteve strategjike për përballje me pasojat nga kriza globale.

Qytetarët janë nën presion të vazhdueshëm nga pasiguria që vjen nga rritja e çmimeve të energjencave dhe produkteve në tregjet botërore. Prandaj, në këtë periudhë presin që palët të ofrojnë stabilitet politik, të ofrojnë një koncept të qartë për ballafaqimin me problemet dhe angazhim dhe përgjegjësi të plotë në atë proces.

Subjektet politike përgjegjëse udhëhiqen ekskluzivisht nga interesat e qytetarëve si në kohë paqeje ashtu edhe në kushte krize.

Sot miratuam dhe nënshkruam Deklaratën për Sigurimin e Stabilitetit për qytetarët, ekonominë e vendit dhe sektorin e biznesit në kushte të krizës globale. Qëllimi i kësaj Deklarate është të sigurojë një garanci shtesë dhe të fortë, por edhe një angazhim të qartë politik për të përshtatur politikat me nevojën për t'u përballur me pasojat negative të krizës më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Prandaj, të gjithë bashkë konstatuam se zgjedhjet e parakohshme nuk do t'i zgjidhin problemet e qytetarëve, por do t'i thellojnë ato. Prandaj, ne e mbyllim këtë çështje. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në mandatin e rregullt në vitin 2024. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë t'i përgjigjemi krizës, duke ofruar një pako të re masash kundër krizës, reforma sistematike, luftë jo selektive kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe harmonizimin e legjislacionit zgjedhor me rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it. 

Për procesin tonë të integrimit evropian, ne rikonfirmuam qëndrimet e përcaktuara në rezolutën e miratuar nga Kuvendi maqedonas. Rikonfirmuam përkushtimin tonë për respektimin dhe zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë dhe konceptin strategjik shtetëror për një shoqëri të barabartë për të gjithë.

Më në fund, hedhim poshtë tërësisht politikat destruktive të një pjese nga opozita për bllokim të institucioneve dhe u bëjmë thirrje që të rishqyrtojnë dhe ndryshojnë qëndrimet ekzistuese për bllokimin e organit ligjvënës.

Dialogu politik me opozitën duhet të zhvillohet në nivel konstruktiv, brenda institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike për çështje të interesit më të lartë nacional.

Është e drejtë legjitime e opozitës që të përdorë të gjitha metodat demokratike për luftë politike me pushtetin, por kërcënimet për zgjedhje të parakohshme dhe përpjekjet për bllokimin e legjislativit i vlerësojmë si të paarsyeshme dhe në kohën më të keqe të mundshme dhe krejtësisht kundër interesave të qytetarëve dhe shtetit. Qytetarët në këtë koalicion qeveritar kanë një partner të qëndrueshëm që u shërben nevojave të tyre. Së bashku kemi kaluar shumë vështirësi, sfidat e radhës do t'i kalojmë, sepse kemi plan, dije dhe vullnet të fortë.

Vazhdojmë më tej, me forcë dhe me vendosmëri!”