Kryetari i Qeverisë Dimitar Kovaçevski, sot në Kriva Pallankë, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Enver Husejni dhe përfaqësuesit vendor, vizituan kopshtin “Detelinka”, pjesë e objektit Potoçinja, ku në pjesën e re të shtuar sigurohet përkujdesje për rreth 100 fëmijë të tjerë.
Gjatë inspektimit të punimeve përfundimtare të objektit, ku nga Qeveria, përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, janë realizuar 21,9 milionë denarë, me mjete shtesë të siguruara nga Komuna e Kriva Pallankës, Kryeministri Kovaçevski, theksoi se kujdesi ndaj fëmijëve është në vend të parë në agjendën e Qeverisë, e cila vazhdon me politikat e avancimit të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve dhe investimit të vazhdueshëm në infrastrukturën e nevojshme.
Në vazhdim e përcjellim në tërësi fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski:
“Sot, pata kënaqësi të vizitoj kopshtin e fëmijëve në qendër të Kriva Pallankës. Me zgjerimin e hapësirës së këtij objekti, i cili ka rëndësi thelbësore për qytetin, siguruam arsim dhe edukim parashkollor edhe për 102 fëmijë të tjerë, me të cilin sigurohet përkujdesje për gjithsej 200 fëmijë.
Ky është projekt shumë i rëndësishëm dhe i bukur për mua. Çdo fëmijë në të cilin ka mundësi për të investuar në zhvillimin e fëmijërisë së hershme është fëmijë që do të ketë një shans më të madh për sukses më tej në jetë. Ky është investimi ynë në të ardhmen e këtyre fëmijëve. Kushtet në të cilat ata do të mund të kalojnë ditët e tyre të fëmijërisë dhe të mësojnë përmes programit dhe lojës dhe të arrijnë një përparim më të madh intelektual, social, emocional dhe fizik janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ata luajnë rol të madh në atë se si do të jetë e ardhmja e vendit tonë. Me projekte të tilla, ne investojmë në përmirësimin e mundësive për zhvillimin e fëmijërisë së hershme në mënyrë të barabartë në të gjithë vendin dhe ofrojmë kushte moderne për përkujdesjen e më të vegjëlve.
Zgjerimi i kopshtit është realizuar me mjete nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, përmes projektit të Bankës Botërore në vlerë prej 22 milionë denarë dhe mjeteve shtesë nga komuna, që është reflektim i bashkëpunimit të shkëlqyer të pushtetit qendror dhe lokal.
Krahas ndërrimit të konstruksionit të çatisë dhe termoizolimit të objektit, sistemi i ngrohjes është zëvendësuar tërësisht me atë ekologjik. Me këtë investim ne sigurojmë një objekt tërësisht efikas energjetik.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky objekt është realizim i politikave të prezantuara të Qeverisë, për marrjen e masave konkrete për sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe zbatimin e standardeve ekologjike në të gjitha segmentet.
Vetëm kështu kemi qytetarë të kënaqur dhe vetëm kështu do të kemi një realizim cilësor të planeve tona të planifikuara për përmirësimin e infrastrukturës dhe objekteve për zhvillimin e hershëm të fëmijërisë.
Kujdesi për fëmijët është në krye të agjendës së Qeverisë, e cila vazhdon me politikat e promovimit të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve dhe investim të vazhdueshëm.
Investimi në zhvillimin e tyre është investim në shoqërinë tonë, investim për një shtet të zhvilluar, të përparuar dhe ekonomikisht të fuqishëm.
Investojmë edhe në përforcimin e kapaciteteve të stafit profesional në kopshte, sepse ato janë vendimtare në zhvillimin e fëmijëve që nga mosha më e hershme.
Siguruam rritje të pagave të punonjësve në kopshte, që nga viti 2017, me gjithsej 36%, ndërsa me ribalancimin janë siguruar mjete për paga më të larta në arsim.
Që nga ardhja e kësaj qeverie është zgjidhur çështja e mungesës së punonjësve në institucionet parashkollore, duke i dhënë zgjidhje të përhershme më shumë se 2000 mësuesve, deri atëherë të punësuar me kontratë me afat të caktuar.
Kryetarit të Komunës së Kriva Pallankës, Sashko Mitovskit i dërgoj urimet e mia për angazhimin e tij në projektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e standardeve të banorëve të këtij rajoni.
Realizimi i këtij objekti do të thotë lehtësim për disa familje të tjera në drejtim të ofrimit të akomodimit parashkollor për fëmijët e tyre dhe njëkohësisht do të hapë vende të reja pune për edukatorët profesionistë dhe personelin tjetër ndihmës të nevojshëm në këtë institucion parashkollor.
Është për t'u përshëndetur fakti që në këtë kopsht bashkëkohor u prezantua ngrohja ekologjike, fasada me efikasitet energjetik, me synim uljen e ndotjes së mjedisit.
Gjithashtu, duke ndjekur politikat e ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, ky parashkollor mundësoi qasje për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara në lëvizje.
Suksese në punen e ketij kopshti bashkëkohor me standarde evropiane, ku ne qendër të vëmendjes vihen nevojat dhe zhvillimi cilësor i hershem i fëmijës, si një nga investimet më të rëndësishme ne potencialin njerëzor qe ne moshën me te re."