Kryeministri Kovaçevski do të merr pjesë në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Berlin

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të udhëheqë një delegacion qeveritar në takimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit për Procesin e Berlinit, i cili po mbahet në Berlin, Republika Federale e Gjermanisë. Në përbërje të delegacionit qeveritar janë zëvendëskryeministri i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani. Në Samit do të mbahen disa sesione në të cilat është paraparë që Kryeministri Kovaçevski së bashku me liderët nga Shqipëria, Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi të diskutojnë bashkëpunimin rajonal dhe tregjet e përbashkëta rajonale, stabilitetin dhe transformimin energjetik, si dhe perspektivat e Procesit të Berlinit dhe çështjet strategjike.

Gjatë Samitit do të nënshkruhen tre marrëveshje rajonale të lëvizshmërisë, të cilat i referohen njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, njohjes reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë për doktorët e mjekësisë, stomatologjisë dhe arkitekturës, si dhe lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Fokusi i Procesit të Berlinit është përforcimi dhe avancimi i bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor me mbështetjen e Komisionit Evropian. Ky bashkëpunim është në fushën e proceseve reformuese, tregjeve të përbashkëta, njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale, lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe duhet të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e përshpejtuar ekonomik rajonal.