Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Athinë, ka realizuar takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Nikos Dendias.
Në takim, Ministrat shprehën kënaqësinë për dinamikën me të cilën po zhvillohen marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, bashkëpunimin produktiv në sfera dhe projekte të shumta me interes të ndërsjellë, si dhe perspektivën e avancimit të tyre të mëtejshëm, në aspektin bilateral, rajonal dhe nivel multilateral.
Në fokusin e diskutimeve ishte edhe Marrëveshja e Prespës dhe ndikimi i saj pozitiv në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
“Me të vërtetë jam i kënaqur që marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë janë shembull i vërtetë i fqinjësisë së mirë dhe shembull se si të ndërtohet një miqësi e qëndrueshme dhe afatgjate e bazuar në besimin dhe respektin reciprok. Kemi një marrëveshje për një partneritet strategjik, zbatimi konsekuent i së cilës është bazë për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe forcimin marrëdhënieve tona të ngushta”, tha Osmani, duke shtuar se rritja e tregtisë mes dy vendeve për 100% është treguesi më i mirë i kapitullit të ri të marrëdhënieve dypalëshe, të cilat mundësojnë nënshkrimin e kontratës.
Osmani falënderoi Greqinë për mbështetjen e saj në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, e cila këtë vit filloi negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Ata diskutuan për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe nismave rajonale, kryesimet e Maqedonisë së Veriut me SHBA-Kartën e Adriatikut, Procesin për Bashkëpunim në Evropën Juglindore dhe OSBE-në, gjatë vitit 2023. Fokusi në këtë pjesë ishte pikërisht bashkëpunimi gjatë kryesimit tonë me OSBE-në, në drejtim të sigurimit të paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe më gjerë.