Aliu: Hapëm një ambulancë të re në Radushë – sigurojmë shërbime shëndetësore më të qasshme në nivel parësor

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi Radushën, ku u rihap ambulanca që më parë kishte qenë e lënë pas dore dhe jofunksionale.

“Sot është me të vërtetë një ditë e veçantë për Radushën. Pas gati një viti e gjysmë, ambulanca i hap sërish dyert për banorët e saj. Kjo hapësirë, që kishte qenë e lënë pas dore dhe jofunksionale, sot është tërësisht e rinovuar, gjë që na gëzon shumë.  Ambulanca është e pajisur me mjete moderne dhe ofron kushte të denja për një sistem shëndetësor bashkëkohor në nivel parësor. Jam krenar që për herë të parë ambulanca do të udhëhiqet nga një mjek i vetë fshatit, nga doktor Rufat Qaili, i cili do të jetë këtu çdo ditë për nevojat e qytetarëve,” theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.

Me këtë hap, përveç vetë rihapjes së institucionit shëndetësor, përmirësohet edhe qasja në shërbimet shëndetësore, gjë që përbën një dobi për të gjithë qytetarët.