Nga Filipçe nuk presim të dijë dhe të jetë ekonomist, por përgjegjësia kërkon të paktën të konsultohet me dikë që kupton shifrat.
Është e qartë se këshilltarët e Filipçes nuk i'a kanë bërë detyrën e shtëpisë. Në vend që të informojnë, ata përpiqen ta rrëshqasin politikisht me të dhëna të pasakta për ekonominë. Qeveria nuk ka ndërmend të marrë pjesë në përplasje të lira politike, por është detyra jonë t’i paraqesim faktet.
Buxheti është stabil dhe likuid. Të gjitha detyrimet ndaj qytetarëve, kompanive dhe institucioneve po përmbushen rregullisht dhe me kohë. Realizimi i të ardhurave dhe shpenzimeve zhvillohet sipas planit dhe dinamikës vjetore, ku tradicionalisht aktiviteti më i madh shënohet në tremujorin e fundit të vitit. Filipçe, ky është një rregull që e di çdo kush që ndjek qoftë edhe në mënyrë sipërfaqësore politikën fiskale.
Ne ndjekim politikë fiskale të disiplinuar, buxheti për vitin 2025 është planifikuar me kujdes dhe me një strategji të qartë, me theks tek investimet kapitale, rritjen ekonomike dhe stabilitetin social. Deficiti është nën kontroll, borxhi publik është stabilizuar dhe huamarrjet janë brenda kufijve ligjore dhe të orientuara drejt zhvillimit, e jo drejt populizmit. Në kohën e LSDM-së, boshllëqet buxhetore mbusheshin me huamarrje joproduktive dhe borxhi publik ishte rritur për më shumë se një miliard euro pa efekt ekonomik të dukshëm. Sot flasim për një politikë të përgjegjshme dhe fiskalisht të disiplinuar që sjell rezultate reale.
Këto janë fakte konkrete, jo konstruksione. Deficiti buxhetor i parashikuar për vitin 2025 është 41.4 miliardë denarë, që është 3.3 miliardë më i ulët se në vitin 2024. Deri tani, realizimi është 36.4 miliardë denarë, që është në kuadër të planit.
Borxhi publik, deri në korrik, është 58.7%, ndërsa pritet që deri në fund të vitit 2025 të jetë më i ulët se projekcioni prej 62.1%. A ta kujtojmë Filipçen se çdo vit e tejkalonin këtë kriter? A ta kujtojmë Filipçen se në muajt e parë të vitit 2025, Ministria e Financave ka shlyer euro-obligacionin prej 500 milionë eurosh të lëshuara në vitin 2018 nga qeveria e mëparshme?
Kur flasim për rritjen e investimeve dhe aktivitetit ekonomik, shpenzimet kapitale deri më 14 tetor arrijnë në 20.8 miliardë denarë, që është 17.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ekonomia rritet, inflacioni po stabilizohet. BPB-ja reale u rrit me 3.4% në tremujorin e dytë të vitit 2025. Norma e papunësisë u ul në 11.5%, që është niveli më i ulët historikisht. Inflacioni është stabilizuar në 4% në shtator, me trend rënës.
Këto janë fakte, jo fraza boshe politike.
Ndërkohë që Filipçe përpiqet të krijojë panik me manipulime dhe gjysmë-informata, Qeveria mbetet e përqendruar në stabilitetin, rritjen dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.