Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka dërguar mesazh të fuqishëm me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave nga Holokausti.
Në ditën e sotme Ndërkombëtare të përkujtimit të Holokaustit, le t'i themi një JO kategorike antisemitizmit, racizmit, ksenofobisë dhe çdo forme intolerance.
Kjo ditë është një jehonë e humbjes së tmerrshme të mbi gjashtë milionë fëmijëve, grave dhe burrave të pafajshëm, përfshirë 7,144 hebrenj maqedonas, në kampin e vdekjes në Treblinka dhe një mesazh se krime të tilla nuk duhet të përsëriten kurrë.
Përgjegjësia jonë civilizuese sot është të ndërtojmë një botë në të cilën të ketë vend për të gjithë. Republika e Maqedonisë së Veriut po zhvillohet me sukses në një shoqëri për të gjithë, me të drejta, liri dhe obligime të barabarta për të gjithë qytetarët dhe me shembullin tonë do të vazhdojmë të dërgojmë mesazhin se diversiteti nuk është pengesë, por pasuri.