Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në konferencën vjetore “Viti i mundësive të reja”, iu referua edhe investimeve që janë realizuar gjatë vitit 2022.
“Nëse i shikojmë investimet kapitale, në vitin 2022 janë realizuar 90 për qind e projekteve të planifikuara, që është përqindja më e lartë e arritur në 10 vitet e kaluara dhe shuma më e lartë historike prej 465 milionë euro, dhe atë në vitin ku patëm krizë.
Në transport, për shembull, po ndërtohen dhe rehabilitohen 44 rrugë ekspres, kryesore dhe rajonale, ndërsa në shumicën e tyre punimet kanë përfunduar, një pjesë janë në vazhdim”, tha kryeministri Kovacevski, duke shtuar se aktualisht është duke u zhvilluar aktivisht ndërtimi dhe rindërtimi i 59 kilometrave autostrada.
“Në arsim ka përfunduar ndërtimi i 3 objekteve shkollore dhe 3 të tjera janë në ndërtim e sipër. Ka përfunduar dhe ka nisur rikonstruksioni i 29 objekteve shkollore në 21 shkolla.
Siç paralajmëruam do të vijojë rikonstruksioni i 118 objekteve shkollore në të gjithë vendin. Dhe do të fillojmë me rikonstruksionin e plotë të të 9 konvikteve shtetërore.
Në shëndetësi është bërë prokurimi i pajisjeve diagnostike moderne për 14 institucione shëndetësore publike, në bashkëpunim me Bankën Botërore, për të cilat është në proces instalimi dhe vlera totale e investimit është 13.6 milionë euro. .
Gjithashtu është siguruar një përshpejtues i ri linear, një pajisje e re për terapi rrezatimi, një rezonancë e re magnetike, një tomografi i ri kompjuterik. Në të njëjtën kohë, mjekët privatë kanë marrë një vlerë më të madhe të pikës së kapitacionit, nga 63 denarë për 75 ditë, ndërsa kapitacioni për stomatologët privatë tani është ngritur dhe arrin në 61 denarë për pacient.
Në fushën e ambientit jetësorë, një nga dy venddepozitimet e fabrikës OHIS u pastrua nga izomerët e lidnanit, të cilët prej dekadash përbënin rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Gjithashtu, rreth 40 projekte janë realizuar ose janë në zhvillim e sipër. Në mesin e tyre, nga buxheti për vitin 2022 janë ndarë mjete në vlerë prej 3.2 milionë euro për sistemin ujësjellësit për disa vendbanime dhe mjete në vlerë prej 1 milionë euro për rindërtimin dhe përmirësimin e sistemit kolektor dhe impiantit për trajtim në komunën e Dojranit.
Viti 2022 përmbyllet me realizimin e plotë të investimeve kapitale në Polici, me 78 objekte të Policisë të rikonstruktuara tërësisht, nga të cilat 7 vitin e kaluar, në vlerë totale mbi 8 milionë euro.
Ne po modernizojmë Armatën sipas standardeve të NATO-s, për të cilat tashmë janë duke u zhvilluar disa projekte kapitale shumëvjeçare, furnizimi i mjeteve të blinduara të lehta nga SHBA-të, furnizimi i pajisjeve të mbrojtjes kundërajrore, për të cilat është nënshkruar një marrëveshje me Francën, dhe gjithashtu janë lidhur marrëveshje për prokurimin e sistemeve të artilerisë në bashkëpunim me Turqinë, si dhe për riparimin e helikopterëve transportues me Republikën Çeke.
Në kuadër të zotimeve, si autoritet ekzekutiv, kemi bërë gjithçka që varet nga ne për drejtësi efikase, sipas ligjeve të miratuara - dhe 5 gjykatat themelore, konkretisht në: Kavadar, Strumicë, Shtip dhe në Gjykatën Penale dhe Civile në Shkupi është pajisur me pajisje moderne TIK, si pjesë e planit të dixhitalizimit në gjyqësor.
E nga nëntori i vitit 2022 do të jetë në funksion salla më e madhe e gjyqit digjitale në vend, në Idrizovë. Në kushtet kur të gjithë sytë janë përqendruar te lufta kundër krimit dhe korrupsionit, si sfidë në kuadrin kombëtar dhe rajonal, hapësira për justifikime ngushtohet kur bëhet fjalë për sjelljen efikase dhe profesionale të autoriteteve kompetente. Dhe secili ka obligim që të japë rezultate për atë që është paguar nga qytetarët”, tha kryeministri Kovaçevski.
Ai bëri të ditur se Qeveria mbetet e përkushtuar për zhvillimin e vendit, ashtu siç e presin qytetarët.
“Me Buxhetin e vitit 2023 kemi siguruar: 250 milionë euro për masat kundër krizës, 1,2 miliardë euro për pensionistët, 57,5 milionë euro më shumë për transferet në komuna, 63 milionë euro më shumë për shërbimet shëndetësore, 800 milionë euro për shpenzimet kapitale.
Qytetarët duan stabilitet, duan rregulla, duan përparim dhe zgjidhje, duan një jetë realisht më të mirë! Është e realizueshme. Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë në rrugën evropiane, me reformat e nevojshme në të gjitha fushat dhe do të jetë anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian.Ttashmë është një proces i pakthyeshëm", tha Kryeministri Kovaçevski në konferencën "Viti i mundësive të reja" që po mbahet në Shkup.