Rritja e prodhimit të energjisë elektrike është bazë që në periudhën e ardhshme të kemi ulje të mundshme të energjisë elektrike, theksoi Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski në panelin diskutimin e sotëm “Maqedonia e Veriut si qendër e gjelbër energjetike – si të shndërrohet kriza në mundësi”.
Kryeministri theksoi se strategjia e Qeverisë si dhe ekspertët e angazhuar në sektorin energjetik kanë kontribuar në rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, e me këtë edhe në uljen e çmimit të energjisë elektrike.
“Vitin e kaluar EMV-ja arriti që të rrisë prodhimin e energjisë elektrike për 20% në krahasim me një vit më parë. Për këtë vit plani është të rritet sërish prodhimi i energjisë elektrike. Kam kënaqësinë që dje pamë të dhëna se gjatë ditës së djeshme janë prodhuar mbi 21 megavat/orë energji elektrike, që është prodhimi më i lartë në një ditë në 10 vitet e fundit. Dhe kjo na jep bazën që të mund të bëjmë kalkulime në bazë të të cilave nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike”, tha Kryetari i Qeverisë, në panelin e sotëm në kuadër të Konferencës vjetore “Viti i mundësive të reja”.
Kovaçevski theksoi se edhe pse pritshmëritë e të gjithëve ishin që në fillim të vitit të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, me mbulimin e 100% të nevojave të energjisë elektrike për amvisëritë, faturat për konsumatorët e vegjël janë ulur për 20%.
“Me rritjen e prodhimit të termocentraleve shtetërore kemi ulje të çmimit të energjisë elektrike në dy blloqet e para, dhe aty është numri më i madh i amvisërive që konsumojnë energji elektrike. Një rritje shumë e lehtë në bllokun e tretë dhe një rritje më e madhe në bllokun e katërt. Blloku i katërt janë praktikisht qytetarët tanë që konsumojnë sasi më të mëdha të energjisë elektrike, që ngrohin hapësira më të mëdha, ngrohin pishinat gjatë dimrit, por kjo nuk është problem për ta dhe është mirë që mund ta bëjnë këtë, por normalisht paguajnë energji elektrike më të shtrenjtë. Në mënyrë shtesë, ajo që është më e rëndësishme, për kompanitë e vogla çmimi i energjisë elektrike është ulur për 20%, këto janë kompani që punësojnë 98% të të punësuarve në shtet”, tha Kovaçevski.