Kovaçevski: Po rrisim prodhimin vendor të ushqimit, duhani ka historikisht çmimin më të lartë të blerjes, jemi lider në shfrytëzimin e IPARD-it

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në seancën për pyetje të deputetëve në Kuvend, theksoi përfitimet konkrete të masave të marra në fushën e bujqësisë, veçanërisht në kushtet e krizës ekonomike botërore dhe kërkesa për ushqime dhe kumtoi se bujqësia është një nga prioritetet kryesore në politikat qeveritare.

“Përmes Programit për pagesa të drejtpërdrejta janë paguar 6,5 miliardë denarë ose 105 milionë euro për 80.000 shfrytëzues të subvencioneve për prodhimtarinë bimore dhe blegtorale. Për herë të parë miratuam Planin nacional të prodhimit të ushqimit dhe Programin intervenues për të mbështetur çdo bujk dhe investuam 900 milionë denarë intervente, me çka u zbut situata e krizës në disa sektorë të bujqësisë. Nëpërmjet këtij Programi të ri, prodhuesit e kulturave strategjike të drithërave morën mbështetje, duke subvencionuar blerjen e plehut artificial prej 40%, duke pasur parasysh rritjen e çmimit të plehrave artificiale për shkak të luftës që po zhvillohet në Ukrainë, masë që u përdor nga mbi 10.000 bujq. Prodhuesit e qumështit morën edhe subvencion shtesë”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Si masa shtesë për stimulimin e prodhimit vendor të ushqimit dhe bujqëve, Kryeministri theksoi se mbi 14,000 hektarë tokë bujqësore janë vënë në dispozicion për prodhimin e drithërave, prodhimin e foragjereve dhe për ngritjen e plantacioneve afatgjata dhe suksesi më i madh është arritur te prodhimi i lulediellit.

“Kemi arritur ta dyfishojmë atë përmes konceptit të prodhimit të dakorduar, me të cilin prodhimi i lulediellit ka përfunduar në industrinë e përpunimit vendor, në objektet që prodhojnë produkte ushqimore bazë. Nevojat për elbin plotësohen nga prodhimi vendor, në vend të importit si tre vjet më parë. Tani jemi duke regjistruar eksporte të elbit - nga një vend që deri para tre vitesh importonte elb. Rritëm edhe prodhimin e grurit, i cili këtë vit arriti çmimin e lartë të blerjes prej 18 denarë për kilogram”, shtoi Kryeministri Kovaçevski.

“Gjatë krizës kemi arritur të stabilizojmë dhe të rrisim prodhimin vendор të ushqimit. Në vitin 2022, përkundër krizës, prodhimi bujqësor do të ketë rritje si në sasi ashtu edhe në çmim”, konstatoi Kryeministri Kovaçevski.

Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, posaçërisht e theksoi modelin e ri të subvencionimit të bujqve, i cili do të fillojë të aplikohet këtë vit, si zgjidhje sistematike.

“Viti 2023 do të jetë vit i mundësive të reja për përmirësimin e prodhimit bujqësor. Më shumë se 7 miliardë denarë janë siguruar për subvencione dhe këto janë mjete rekord që do të mundësojnë rritjen e prodhimit vendor, me fokus bujqit e vërtetë. Mbështetja është dedikuar për të gjitha kulturat e rëndësishme dhe për zhvillimin e blegtorisë. Modeli i ri i subvencionimit është pjesë e një reforme të madhe në bujqësi, me të cilën ne ofrojmë një model subvencioni më të shpejtë, më efektiv dhe efikas, i cili do të rrisë prodhimin vendor të ushqimit, me një subvencion bazë për të gjithë bujqit dhe një subvencion shtesë për ata që kultivojnë kultura të rëndësishme dhe të cilët e shesin prodhimin e tyre në qendrat blerëse të regjistruara ose e përdorin për prodhim në objektet e tyre. Ajo që është më e rëndësishme për modelin e ri është se do të stimulohet prodhimi i vërtetë bujqësor, të cilin fermerët do të duhet ta dëshmojnë përmes rendimentit të arritur. Përveç pagesës më të shpejtë, modeli i ri parasheh kontroll më të madh dhe reduktim të ekonomisë gri në këtë sektor”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.

Ai tha se këtë vit 2023 kemi buxhetin më të madh bujqësor deri më tani, në vlerë prej rreth 12 miliardë denarë, i cili është i vendosur në pesë shtylla kyçe: reforma në bujqësi dhe modeli i ri i subvencionimit, fokus në prodhuesit e vegjël, investime kapitale për menaxhimin e ujit, tranzicioni i gjelbër dhe modernizim i prodhimit bujqësor, që do të thotë mbi 200 milionë euro për bujqit.

Veçanërisht u përmend rekolta e shkëlqyer e duhanit.

“Së bashku me prodhuesit e duhanit po shkruajmë histori me çmimin mesatar të blerjes prej 290 denarë për kilogram, që paraqet rritje prej më shumë se 40 për qind në krahasim me çmimin e blerjes së vitit të kaluar. Këtij çmimi, kur i shtojmë 80 denarë për subvencione nga shteti, arrijmë në çmim të lartë rekord prej 370 denarë për kilogram, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në vend dhe në vitin më në krizë. Edhe këtë vit është çmimi më i lartë i blerjes së duhanit në historinë e vendit tonë”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri paralajmëroi më shumë investime në bujqësi dhe në veçanti vuri në dukje rezultatet e programit IPARD.

“Shfrytëzimi total i fondeve për IPARD 2 është një rekord prej 98% dhe realizimi i mbi 2000 kontratave në vitin 2022. Për këtë arsye jemi shpallur vendi lider në rajon për shfrytëzimin e fondeve IPARD. Për Programin e ri IPARD 3, Komisioni Evropian rriti fondet për 62 për qind dhe nëse kishim 60 milionë euro në dispozicion për IPARD 2, kemi 97 milionë euro në dispozicion për IPARD 3. IPARD 3 është program për një modernizim të ri të bujqësisë maqedonase. Do të akreditohen katër masa shtesë për mbështetjen e bujqve: investimet në infrastrukturën publike rurale, masa LIDER, të destinuara për financimin e aktiviteteve dhe projekteve që do të zbatohen përmes Grupeve lokale të veprimit, për prodhimin organik dhe një masë për shërbimet këshillimore me qëllim të avancimit, njohurive, por edhe cilësinë e prodhimit të bujqve tanë”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në seancën për pyetje të deputetëve në Kuvend.