Osmani nga Jerevani: Përfitim më të madh nga marrëveshja për paqe të qëndrueshme do të kenë qytetarët e Armenisë dhe Azerbajxhanit

Gjendja aktuale dhe marrëdhëniet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit ishte tema kryesore e takimit të sotëm të Kryesuesit të OSBE-së dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, me Ministrin e Punëve të Jashtme të Armenisë, Ararat Mirzoyan.

“OSBE-ja i mbështet iniciativat për arritjen e Marrëveshjes për paqe.  Është me rëndësi të madhe që përfundimisht të zgjidhen çështjet e kahershme dhe të normalizohen marrëdhëniet mes jush, si partnerë tonë të rëndësishëm. Në fund të ditës, përfitim më të madh nga marrëveshja për paqe të qendrueshme do të keni pikërisht ju dhe qytetarët e Armenisë dhe të Azerbajxhanit ”, tha Osmani në takimin me Mirzoyan.

Osmani u interesua për statusin e marrëveshjes së paqes, si dhe për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, si dhe gjendjen e armenëve të burgosur në Nagorno-Karabak.

"Më lejoni të theksoj mbështetjen time të plotë për përpjekjet e vazhdueshme për të ndërmjetësuar dhe për të vendosur stabilitet në terren. Shpresoj që përvoja dhe avantazhet e OSBE-së do të mund të shfrytëzohen në mënyrë më aktive për sigurinë në kontekstin tuaj”, tha Osmani.

Osmani dhe Mirzoyan diskutuan edhe për shqetësimet e Armenisë për situatën në Korridorin e Laçinit dhe efektet e saj në jetën dhe ekzistencën e popullatës së kësaj zone.

“I kuptoj shqetësimet e armenëve dhe në frymën e kryesimit tonë, “Fjala eshtë për njerëzit”, i inkurajoj të gjitha palët që të vazhdojnë me negociatat, përkundër përdorimit të forcës dhe imponimit në zgjidhjen e kontesteve”, theksoi në takim Osmani. Kjo i referohet edhe çështjeve të demarkacionit dhe hapjes së linjave të komunikimit, shtoi Osmani.

Siç theksoi Osmani, procesi negocues mund të jetë i ndërlikuar dhe i vështirë, por duhet të mbizotërojë perspektiva e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe stabilitetit të përhershëm.

“Duhet të jemi optimistë për të ardhmen edhe përtej shqetësimeve tona të tanishme në mënyrë që ta shohim fotografinë e plotë, e kjo është një marrëveshje që mund të arrihet përmes lidershipit të fortë, qëllimeve të mira dhe vullnetit politik”, tha Osmani.

Osmani edhe një herë e theksoi përkushtimin e OSBE-së ndaj Armenisë në përpjekjet dhe aspiratat e saj për të siguruar paqe të qëndrueshme.

“Të jeni të sigurtë se si Kryesues i OSBE-së do të punoj për forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit tonë, duke promovuar paqen dhe stabilitetin në këto kohëra të pasigurta”, theksoi Osmani.

Gjatë ditës, Osmani do të takohet edhe me Presidentin e Armenisë, Vahan Khachaturyan, Kryeministrin, Nikol Pashinyan dhe Delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së nga Asambleja Nacionale e Armenisë.