Ministri i Shëndetësisë, Dr. Fatmir Mexhiti vizitoi sot Spitalin klinik në Manastir me rastin e donacionit të pajisjeve mjekësore dhe jo mjekësore në vlerë prej 450 mijë dollarësh me mbështetjen e organizata joqeveritare "World Medical Relief", si dhe Diaspora e Bashkuar Maqedonase.
Në një deklaratë për shtyp, ministri Mexhiti bëri me dije se bëhet fjalë për pajisje që përbëhen nga një aparat sterilizues, mjete ndihmëse ortopedike, shtretër spitalor, karrige mjekësore, inhalatorë, aparate për matjen e presionit, si dhe instrumente dhe pajisje të ndryshme mbrojtëse.
"Fuqizimi i institucioneve publike shëndetësore me pajisje të reja mjekësore dhe jo mjekësore është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë. Spitali i Manastirit është shembull i përforcimit të personelit , duke pasur parasysh se deri në fund të vitit do të realizohen gjithsej 34 punësime të reja të punëtorëve shëndetësorë, administratës dhe stafit teknik ndihmës. Me këtë forcohet stafi i spitalit, i cili tashmë përbëhet nga 750 persona të punësuar për një periudhë të pacaktuar. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për organizatën joqeveritare "World Medical Relief" dhe Diasporën e Bashkuar Maqedonase për mbështetjen dhe kontributin e tyre të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në vendin tonë”, thotë Mexhiti.
Drejtoresha e Spitalit Klinik të Manastirit, Elizabeta Ivanovska, tha se me këtë aparaturë do të ngrihet niveli dhe shkalla e kujdesit shëndetësor të pacientëve nga rajoni të cilët shërbehen çdo ditë në institucion. Ajo informoi se ka filluar rinovimi i reparteve të neurologjisë dhe mjeksisë interne.
Drejtori i Diasporës së Bashkuar Maqedonase për Maqedoninë e Veriut dhe Evropë, Gordan Jordanov, theksoi se është nder i madh që në prag të festave të Krishtlindjeve të mundemi si organizatë të organizojmë për herë të dytë një donacion të pajisjeve mjekësore të kësaj natyre, dhe kështu të rrumbullaksohen 1 milion dollarë amerikanë pajisje mjekësore për t'u ndarë për institucionet shëndetësore në shtet.
“Shpresojmë që këto aksione të bëhen traditë dhe çdo vit DBM të mund të kontribuojë në modernizimin dhe zhvillimin e sektorit shëndetësor, si dhe të ndihmojë në sigurimin e nevojave themelore të pacientëve në Maqedoni”, tha Jordanov.