Xhaferi për nder të Kurban Bajramit: Solidariteti e fisnikëron shpirtin dhe i jep vlerë jetës

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dërgoi urim për festën e Kurban Bajramit, deri te kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, si dhe anëtarëve të Rijasetit, myftinjve dhe besimtarëve të besimit islam në të cilin theksoi:

“Kam kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, të shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e festës së madhe myslimane, Kurban Bajrami, dhe të shpreh gëzimin që kjo ditë e shënuar na gjen gjallë dhe shëndoshë.
 
Ju uroj juve personalisht, anëtarëve të Rijasetit, myftinjve, pjesëtarëve të Bashkësisë Fetare Islame si edhe të gjithë besimtarëve të besimit islam, mbi të gjitha shëndet të mirë, zemërgjerësi, solidaritet dhe bërje të veprave të mira të cilat do ua fisnikërojnë shpirtin dhe do i japin vlerë, motiv dhe cilësi jetës suaj. 
 
Njëherazi, uroj që haxhilerët që për momentin i bëjnë lutjet dhe respektin e duhur në rrugën e shenjtë të haxhit, të drejtojnë lutjet edhe për të gjithë qytetarët dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, shtetin tonë të përbashkët, për të pasur një vit të mbarë, në paqe, në mirëqenie dhe me prosperitet të dukshëm në çdo fushë të jetës shoqërore dhe ndërkombëtare. Krahas lutjeve, të gjithë së bashku të bëjmë atë që kemi mundësi për të siguruar paqe, mirëqenie dhe jetë të sigurt për ato që në këtë kohë janë të prekur nga luftërat, sëmundjet dhe fatkeqësitë natyrore, sepse jeta është e shenjtë dhe të gjithë duhet ti gëzohen saj njësoj.
 
Kurban Bajrami, le të jetë shkas për tu tubuar rreth gjirit familjar, për të ndarë gëzimet, sukseset, por edhe brengat dhe shqetësimet, sepse familja është bërthama thelbësore dhe qeliza prej të cilës fillon dhe ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, me vlera dhe standarde pozitive. Le të jetë gëzuar dhe për shumë vite festa e Kurban Bajramit!”, ka shkruar Kryeministri Xhaferi në urimin deri te kreu i BFI-së, Fetai.