Kryeministri Hristijan Mickoski sot e shpalli nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro nga Buxheti për projekte kapitale dhe për zhvillim. Ky plan është pjesë e përpjekjeve të Qeverisë për të përmirësuar infrastrukturën dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Premtuam zhvillimin e komunave dhe tani po e realizojmë duke siguruar 250 milionë euro për zhvillim infrastrukturor”, ka theksuar Mickoski në profilin e tij zyrtar në Facebook.
Në takimin e punës me ministren e financave, Gordana Dimitrievska Koçovska dhe ministrin e vetëqeverisjes lokale, Zllatko Perinski, u përcaktua mënyra se si do të ndahen mjetet për komunat. Sipas njoftimeve, pas ribalancimit dhe vendimit të Qeverisë në fund të muajit të ardhshëm, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të shpallë thirrje për të gjitha komunat që të aplikojnë për këto mjete.
“Mjetet janë të parashikuara për investime kapitale, të cilat përfshijnë shkollat, kopshtet, ujësjellësin, kanalizimet dhe infrastrukturën rrugore. Në këtë mënyrë realisht e përmirësojmë jetën e qytetarëve dhe po e vëmë shtetin në funksion të nevojave të tyre”, shtoi kryeministri.
Kjo nismë është pjesë e planit më të madh të Qeverisë për përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve dhe zhvillimin e komuniteteve lokale.
“Është koha që shteti të bëjë më shumë për çdo qytetar. Jemi duke punuar me gjithë energjinë tonë për të realizuar atë që kemi premtuar”, përfundoi Mickoski.