“Së pari dua të them se të gjithë meritojnë paga më të larta. Kjo është shumë e rëndësishme të dihet. Secili që punon, që bën përpjekje, që punon me ndershmëri në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, meriton pagë më të lartë dhe nuk duhet të ketë asnjë dilemë”, është decid kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se cili është qëndrimi i tij duke pasur parasysh se Sindikata e Pavarur paralajmëron protestë të punëtorëve të arsimit.
Kryeministri Mickoski theksoi se me ribalancimin e buxhetit janë siguruar mjete për harmonizim ligjor, duke theksuar se varësisht nga dinamika e konsolidimit të Buxhetit gjatë formimit të Buxhetit për vitin e ardhshëm, ai është i gatshëm të ulet me gjithë organizatat sindikale dhe të diskutojë.
“Si Qeveri brenda këtyre dy muajve kemi bërë ribalancim të Buxhetit, me të cilin kemi siguruar mjete për harmonizimet e ligjit. Dhe këtu askush nuk duhet të ketë dilemë. Varësisht nga dinamika e konsolidimit të Buxhetit gjatë formimit të Buxhetit për vitin e ardhshëm, jemi të gatshëm të ulemi me të gjitha organizatat sindikale dhe të bisedojmë. Për dy muaj arritëm të konsolidojmë institucionet që ishin në shpërbërje, të konsolidojmë ministritë që ishin në shpërbërje, të konsolidojmë buxhetin që ishte në shpërbërje”, tha ai dhe shtoi:
“Do të ju rikujtoj disa ditë më parë, por edhe gjatë javëve të kaluara kemi publikuar të dhëna se DAP ka një arkëtim prej 40 për qind më të lartë korrikun e këtij viti në krahasim me korrikun e vitit të kaluar. Pres që drejtoresha shumë shpejt të dalë me informacion në opinion për politikën kadrovike, për mënyrën e sistemimit të vendeve të punës, të cilat janë shpërblyer dhe të cilat nuk janë shpërblyer. Por pavarësisht këtyre sfidave, ne kemi arkëtim prej 40 për qind më të lartë. Dogana për 20 për qind në muajin korrik, pagesa e taksave rrugore është për 66 milionë denarë më e lartë këtë korrik në krahasim me korrikun e vitit të kaluar.
Kryeministri Mickoski tha se nuk guxon të lejohet politizimi i organizatave sindikale.
“Po i konsolidojmë institucionet sepse jemi të përkushtuar dhe duam të sjellim shpresë dhe kjo shpresë ndihet kudo. Unë jam i pari mes të barabartëve në fushën e arsimit, sepse jam punonjës në arsim, dhe jap mësim në Universitet, gruaja ime është mësuese në shkollë të mesme. Por, ne duhet të kuptojmë se nuk duhet të lejojmë politizimin në organizatat sindikale, nuk duhet të lejojmë pamflete politike. Sepse çdo deklaratë e një pjese të kryesisë në organizatat sindikale është e koordinuar me opozitën e sotme”.
Kryeministri Mickoski tregoi se me ribalancim janë paraparë të gjitha rritjet dhe harmonizimet të cilat më herët janë dakorduar me organizatat sindikale, duke treguar se është i gatshëm të ulet dhe të diskutojë me buxhetin e vitit të ardhshëm për të gjetur zgjidhje, për diçka që ka bazë.
“Me buxhetin e vitit të ardhshëm jemi gati të ulemi të bisedojmë pa politizim dhe të gjejmë zgjidhje. Jam i pari që do të mbështes diçka për të cilën ka bazë”, porositi Mickoski.