Të dashur përfaqësues të mediave,
Në fillim, më lejoni të shpreh mirënjohjen time Ambasadorit të BE-së, Mihalis Rokas, dhe ekipit të tij për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre në zbatimin e proceseve të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Pakoja për zgjerimin e Komisionit Evropian për vitin 2024, e cila përbëhet nga Strategjia për Zgjerim dhe raportet individuale për secilin vend kandidat, u publikua më 30 tetor të vitit 2024. Raporti mbulon periudhën nga 15 qershori i vitit 2023 deri më 1 shtator të vitit 2024, dhe si gjithmonë, paraqet pasqyrë objektive të gjendjes dhe progresit të reformave, duke ofruar përmbledhje të detajuar të përgatitjes dhe progresit të përgjithshëm në krahasim me vitin e kaluar.
Ajo që dua të theksoj në fillim është se ky Raport duhet të analizohet në kontekst të raporteve të tjera që kemi marrë këtë vit – pra Skrining raportet për secilin prej Klasterëve*, si dhe Agjendën Reformuese për vitin 2024-2027 të miratuar së fundmi, Udhërrëfyesit për Sundimit e së drejtës dhe reforma e administratës publike, si dhe dokumente të tjera relevante. Është po aq e rëndësishme të theksohet se prioritetet janë të harmonizuara me Agjendën Reformuese, pra të gjitha dokumentet janë të ndërlidhura mes veti, në mënyrë që të përmirësohen rezultatet dhe sinergjia në fushat prioritare.
Të gjitha këto dokumente paraqesin bazë të shkëlqyeshme për definimin e prioriteteve reformuese të shtetit në periudhën e ardhshme dhe janë bazë për punën e Qeverisë, Kuvendit, administratës, por edhe dhe për të gjithë faktorët e tjerë shoqërorë, në mënyrë që të intensifikohet dinamika e procesit të integrimit. Ministria për Çështje Evropiane, si për çdo Raport të mëparshëm, edhe këtë vit bëri analizë fillestare të vlerësimeve të Komisionit Evropian në Raportin.
Kualifikimi më i thjeshtuar gjatë leximit të Raportit është se ka progres edhe në vitin e kaluar, ashtu edhe në përgatitjen e përgjithshme, pra ka prirje të lehtë në rritje. Vlerësimi i përgjithshëm i gatishmërisë së vendit për vitin 2024 është "nivel i mirë i përgatitjes" (3.22 krahasuar me 3.13 në vitin 2023), dhe ai është solid dhe konstant krahasuar me shumë vite më parë. Në lidhje me vendet tjera kandidate të rajonit, do të theksoja se niveli ynë i gatishmërisë është më i larti, që është edhe një tregues tjetër se Maqedonia e Veriut jo vetëm që është e përgatitur për negociatat e aderimit, por analiza krahasuese tregon se kemi progress të akumuluar.
Sipas klasterëve, ka pasur gjithashtu përmirësim të gatishmërisë për Klasterin 1, krahasuar me vitin e kaluar, gjë që është pozitive nëse merret parasysh se ky është Klasteri i parë që duhet të hapet. Nivel të kënaqshëm të përgatitjes ka edhe te Klasterët 3, 4 dhe 6, përderisa nevojiten më shumë përpjekje për harmonizimin e mëtejshëm në Klasterëve 2 dhe 5.
Nga aspekti i progresit të realizuar, po shënohet një trend i vogël përmirësimi, krahasuar me vitin e kaluar (2.82 krahasuar me 2.76 në 2023). Sigurisht, duhet patur parasysh se nota mesatare bazohet në notat për 43 fusha, pasi që këtu përfshihet puna e Kuvendit, zgjedhjet, qeverisja, shoqëria civile, por edhe fushat e veçanta të kapitujve 23 dhe 24, të cilat vlerësohen veçmas.
Kjo tregon se pavarësisht të gjitha sfidave me të cilat përballemi, veçanërisht nëse merret parasysh se në periudhën që përfshihet me Raportin ka pasur tre Qeveri, megjithatë mund të konstatojmë se kemi një vazhdimësi të qëndrueshme në gatishmërinë e përgjithshme të vendit, që është një konfirmim se mbetemi në përcaktimin strategjik për anëtarësim në BE dhe duhet të jetë një nxitje më shumë për të gjithë ne për të realizuar reformat e nevojshme.
Në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e Raportit, do t'i referohesha disa segmenteve:
- Në fushën e funksionimit të institucioneve demokratike është evidentuar zhvillimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të këtij viti në një atmosferë të kënaqshme, por gjithashtu theksohet nevoja për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Në lidhje me punën e Kuvendit, konstatohet miratimi i Rregullores së re për punën si pjesë e procesit të Zhan Mone-së, por theksohet nevoja për bashkëpunim ndërpartiak për të përshpejtuar zbatimin e reformave lidhur me BE-në.
- Në pjsën e reformës së administratës publike, KE-ja konstaton se me miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Publike u siguruan linja më të qarta përgjegjësie, si dhe detyrimi për të kryer vlerësim të ndikimit gjatë krijimit të organeve të reja shtetërore dhe zvogëlimin e numrit të shfrytëzuesve primar të buxhetit. Na mbesin detyrimet për të përfunduar procesin e riorganizimit dhe për miratimin e pakos së ligjeve për administratën.
- Në fushën e drejtësisë, zbatimi i Strategjisë së re për reformat në sektorin gjyqësor dhe rekomandimet e misionit vlerësues për Këshillin Gjyqësor dhe përforcimin e burimeve njerëzore në këtë sektor.
- Në pjesën e luftës kundër korrupsionit, konstatohet se kjo është një përparësi kryesore e Qeverisë edhe pse korniza institucionale është e vendosur dhe efektive në aspektin e parandalimit, nevojiten përpjekje për të forcuar më tej kapacitetet e institucioneve, zbatimin e ligjit, miratimin e një Kodi të ri Penal në përputhje me standardet e BE-së dhe për të përmirësuar zbatimin e Strategjisë për parandalimin e korrupsionit.
- Në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, është arritur progres në fushën e konfiskimit me harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit me kornizën ligjore të BE-së, por edhe në këtë rast ka nevojë për efikasitet më të mirë në ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të krimit të organizuar dhe përforcimin e kapaciteteve të institucioneve kompetente.
- Vendi vazhdon të përmbushë detyrimet e tij për të drejtat e njeriut, korniza ligjore është pjesërisht në përputhje me ligjin dhe standardet e BE-së, por legjislacioni duhet të zbatohet në mënyrë sistematike. Fokus i veçantë duhet të vihet në përmirësimin e kushteve në burgje, përforcimin e kapaciteteve të Avokatit të Popullit dhe Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen e Diskriminimit, si dhe mbrojtjen e kategorive të ndjeshme. Në pjesën mbi lirinë e medias, përparësitë duhet të përqëndrohen në harmonizimin e mëtejshëm të kornizës ligjore, emërimin e anëtarëve të Këshillit të AVMU-së dhe Këshillit të Programit të televizionit nacional.
- Lidhur me kriteret ekonomike, në kontinuitet mbajmë nivel të mirë gatishmërie dhe progres si një parakusht për një ekonomi tregu funksionale.
Në fund, dua të theksoj, pra edhe sikur të përsëritem: Raporti publikohet në një ditë, por leximi i tij vazhdon 365 ditë, sepse ai nuk është vetëm vlerësim i aktiviteteve tona të deritanishme, por edhe një udhërrëfyes për hapat e ardhshëm të rrugës sonë evropiane.
Pika kryesore është se si t'i integrojmë këto udhëzime në strategjitë tona politike dhe ekonomike. Kjo është një sfidë që ne e pranojmë me përgjegjësi dhe vendosmëri. Jemi të vetëdijshëm se suksesi i dosjes evropiane varet nga përpjekjet e përbashkëta – nga Qeveria, përmes Kuvendit, deri te sektori civil. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe dialogut të hapur, si bazë e përpjekjeve tona përparimin e të ardhmes sonë evropiane. Vetëm në këtë mënyrë ëndrra për anëtarësim në Bashkimin Evropian mund të bëhet realitet.
Unë, si Kryenegociator me Bashkimin Evropian dhe shërbimet profesionale në Ministrinë për Çështje Evropiane, mbetemi fuqishëm të përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona dhe realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë së Veriut.
Ju faleminderit!