Miteva: Nga 8 arbitrazhe ndërkombëtare aktive, kjo Qeveri përfundoi me sukses 3 në favor të Maqedonisë

Të nderuar qytetarë dhe media,

Në konferencën e sotme për shtyp dua ta informoj opinionin për më shumë detaje lidhur me procedurat arbitrazhe që janë hapur, fazën në të cilën ndodhen dhe çfarë kemi arritur deri tani si Qeveri në këto çështje.

Pas informacionit të djeshëm se Maqedonia fitoi rastin e njohur si “Kazandoll” dhe kurseu 115 milionë euro, para të qytetarëve, vlerësojmë se opinioni ka nevojë t’i dijë çështjet që, sipas klasifikimit të konfidencialitetit, mund të ndahen me opinionin.

Ky fitim nuk është vetëm sukses juridik, por edhe një mesazh i qartë se shteti mund të mbrojë interesat e tij kur vepron në mënyrë të organizuar, me përkushtim dhe me punë serioze.

Gjatë periudhës së kaluar, trupi koordinues për procedurat arbitrazhe ka bërë përpjekje maksimale – nga analiza e kujdesshme e dokumenteve dhe kontratave, deri te përgatitja e plotë me argumente juridike – me ç’rast kemi siguruar pozitë të fortë dhe të qëndrueshme në procedurë.

Sa i përket kësaj procedure dhe akuzave të rreme nga LSDM se kjo procedurë arbitrazhe ka qenë e fituar dhe e mbyllur që në vitin 2023 kur ata ishin pjesë e Qeverisë, atëherë le të përgjigjen së pari pse në vitin 2023, në gjysmën e parë të muajit prill, në Vjenë janë zhvilluar negociata për një marrëveshje të mundshme me “Kazandollin” mes përfaqësuesve të qeverisë dhe përfaqësuesve të paditësve dhe së dyti, pse atëherë kjo qeveri ka marrë vendim dhe qëndrim për ta refuzuar marrëveshjen e propozuar?

Gjendja e përgjithshme është kjo:

Me ardhjen e Qeverisë së re në qershor të vitit 2024, Qeveria trashëgoi 8 procedura arbitrazhe ndërkombëtare aktive, që paraqet numrin më të madh të procedurave të tilla aktive në një moment të caktuar, nga të cilat 3 ishin mosmarrëveshje investuese dhe 5 mosmarrëveshje tregtare, si dhe paralajmërime me vërejtje para padive për të paktën edhe 4 procedura të tjera.

Në të gjitha procedurat arbitrazhe aktive, dëmi potencial për buxhetin e shtetit ishte në vlerë prej 865 milionë euro, plus shpenzimet e procedurave.

Kjo e dhënë flet për qasjen e papërgjegjshme të qeverisë së kaluar, e cila me veprimet e saj e ka futur në rrezik buxhetin e shtetit dhe reputacionin ndërkombëtar të tij, që ka rezultuar me 8 procedura arbitrazhe aktive dhe 4 ndërkombëtare të mundshme. Prandaj, është krejtësisht legjitime të shtrojmë pyetjen pse pikërisht në periudhën e qeverisë së kaluar janë hapur kaq shumë mosmarrëveshje ndërkombëtare, a është krijuar në fakt terren për zgjidhje jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve dhe mënyrë për të nxjerrë para nga buxheti i qytetarëve.

Me qasje të përgjegjshme dhe mbrojtje efikase, kjo Qeveri ka përfunduar me sukses gjithsej 3 procedura arbitrazhe në favor të Maqedonisë dhe ka kursyer buxhetin me rreth 565 milionë euro dhe për këto 14 muaj nuk ka procedura të reja të hapura, edhe atë:

- procedura arbitrazhe e njohur si “Kazandoll” kundër Maqedonisë me vlerë prej rreth 115 milionë euro;

- procedura arbitrazhe e njohur si “SASA” kundër Maqedonisë me vlerë prej 445 milionë euro;

- procedura arbitrazhe “GAMA” kundër Maqedonisë me vlerë mbi 5 milionë euro.

Ky rezultat është konfirmim se me transparencë, përgjegjësi dhe punë të përbashkët mund të arrihen rezultate që në të kaluarën paraqiteshin si të pamundura. Çdo rezultat pozitiv e forcon besimin në institucione dhe e mbron shtetin nga dëmet financiare dhe reputacionale të panevojshme.

Trupi koordinues i Qeverisë për procedura arbitrazhe do të vazhdojë të punojë në mënyrë profesionale, me llogaridhënie dhe transparencë. Do t’i informojmë qytetarët për çdo hap të ardhshëm, do të insistojmë në argumentim të fortë juridik dhe do të tregojmë se institucionet mund ta mbrojnë Maqedoninë.

Qëllimi ynë është i thjeshtë – të mbrojmë shtetin, paratë e qytetarëve dhe reputacionin e institucioneve.