Mickoski: Do t’i rikthejmë edhe "Web of Science" dhe "Scopus" si baza referuese të revistave shkencore, do të ketë inspektime në të gjitha universitetet dhe ata që nuk i eliminojnë mangësitë do të sanksionohen

Kryeministri Hristijan Mickoski, në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, paralajmëroi inspektime për të gjitha universitetet, të cilat do të kenë një periudhë kohore për të eliminuar mangësitë, dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të sanksionohen, ai gjithashtu theksoi se reformat në arsimin e lartë do të realizohen dhe se do të përparojmë si shtet.

"Inspektorë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit do të jenë prezentë në të gjitha universitetet dhe të gjithë do të kenë afat të arsyeshëm nëse nuk i përmbushin kushtet t’i mënjanojnë mangësitë dhe nëse kjo nuk ndodh, do të sanksionohen në përputhje me ligjin, siç është parashikuar. Duhet dhe do të ketë reforma në arsimin e lartë, për këtë mund të jeni të sigurt, dhe gjithashtu do të përparojmë në renditjet ndërkombëtare dhe do të kemi një ligj të ri për arsimin e lartë," deklaroi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se së shpejti do të rikthehen edhe "Web of Science" dhe "Scopus" si baza referuese të revistave shkencore, nga të cilat do të arrihet përparim, dhe shumë shpejt do të jenë falas për të gjitha universitetet, në mënyrë që të gjithë punonjësit e universiteteve të mund të përdorin falas të gjitha këto revista nga këto dy baza shkencore.

Lidhur me pyetjen e deputetit Dimitar Apasiev për arsimin e drejtorit të ASSH-së, kryeministri Mickoski theksoi se dokumentet për universitetin që përmendi deputeti nuk janë të plota dhe se do të ketë inspektim për atë universitet, ashtu si për të gjithë të tjerët.

"Ndoshta dikush ia ka dorëzuar disa dokumente zotit Apasiev, por ato nuk janë të plota. Do të dëshiroja të jap disa argumente: një certifikatë për provimet e dhëna nga cikli i parë, e lëshuar më 27.12.2022 a e keni atë nga i njëjti universitet që përmendni? Ajo tregon se studenti Bojan Hristovski ka fituar 180 kredite, dhe të njëjtat lëndë janë hedhur në certifikatë e lëshuar një vit më vonë, më 14 gusht 2023, gjithsej 39, duke përfshirë temën e diplomës. Certifikata fillestare përmban 31 provime nga data 27.12.2022, që përfaqësojnë 180 kredite, dhe brenda një viti janë dhënë edhe 8 lëndë të tjera për të arritur 240 kredite," deklaroi kryeministri Mickoski.