Mexhiti në Qeveri mirëpriti studentët e “Nënë Terezës”: Studentët janë shpresa jonë për një të ardhme më të mirë

Zëvendëskryeministri i Parë i Maqedonisë së Veriut dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka mirëpritur sot në një takim dhe vizitë studimore në Godinën e Qeverisë studentët e vitit të parë të Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Me këtë rast Mexhiti ka thënë se studentët janë shtylla kryesore e çdo shoqërie dhe shpresa jonë për një të ardhme më të mirë. 

“Është detyra jonë të krijojmë mundësitë më të mira për ta, duke investuar në arsim dhe në të ardhmen e tyre. Sot, gjatë vizitës së studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit “Nënë Tereza” në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, pashë nga afër energjinë dhe potencialin që mbartin këta të rinj”, ka thënë Mexhiti.

Ai potencoi se një prej temave kyçe që diskutuan me studentët ishte edhe vendimi për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, një investim prej 35 milionë eurosh. 

“Ky projekt është dëshmi e përkushtimit tonë për të krijuar kushte moderne për arsimim dhe zhvillim, duke u dhënë studentëve hapësirat që meritojnë për tu zhvilluar. Për ne, mbështetja e studentëve nuk është vetëm një detyrë, por një përgjegjësi e madhe dhe një privilegj. Ata janë pasuria më e madhe që kemi dhe përkushtimi ynë ndaj tyre duhet të jetë i pakushtëzuar”, ka thënë Mexhiti. Ai më tej ka shtuar: 

“Ju falënderoj, të dashur studentë, që na dhatë mundësinë të ndajmë ide dhe të bashkëbisedojmë. Dyert e Qeverisë do të jenë gjithmonë të hapura për ju, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë me përkushtim të plotë. Me energjinë, vizionin dhe përpjekjet tuaja, jam i bindur se e ardhmja jonë është në duar të sigurta”.