Ministri i Ekonomisë dhe Punës i Republikës së Maqedonisë së Veriut zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup

Në kuadër të iniciativave që lidhen me programin “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, një projekt i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, që synon të mbështesë harmonizimin e Maqedonisë së Veriut me standardet evropiane në procesin e integrimit evropian, ministri i MEP, Besar Durmishi zhvilloi takim me përfaqësues të Zyrës Programore të Këshillit të Evropës në Shkup.

Gjatë takimit u prezantuan aktivitetet aktuale të Këshillit të Evropës, me theks të veçantë në projektin “Fuqizimi i aktiviteteve kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoninë e Veriut”. Ky projekt, i cili është pjesë e “Instrumentit Horizontal”, mbështet përpjekjet për ndërtimin e kapaciteteve për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, me fokus të veçantë në shfrytëzimin për qëllime pune.

Ministri theksoi rëndësinë e partneritetit midis Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës dhe Këshillit të Evropës në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të politikave kombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Inspektorati Shtetëror i Punës, si një aktor kyç në këto përpjekje, u përmend si një nga sektorët prioritarë për bashkëpunimin e mëtejshëm.

Përfaqësuesit e Këshillit të Evropës shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin e deritanishëm dhe theksuan gatishmërinë e tyre për të mbështetur Republikën e Maqedonisë së Veriut në këtë drejtim.