„Mirëdita nga Brukseli, kryeqyteti i Bashkimit Evropian. Sot jam këtu dhe e udhëheq delegacionin maqedonas në përbërje të të cilit janë ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, këshilltari im për Punë të Jashtme, ambasadori Markovski, si dhe kreu i kabinetit, Vlladimir Nelloski.
Sot jemi këtu në Bruksel për të dërguar një mesazh se qytetarët maqedonas dhe Maqedonia si shtet e meritojnë vendin e tyre përkrah 27 vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe se vendi ynë është pikërisht këtu, në të njëjtën tryezë me ta, sepse ne ndajmë vlera të njëjta, luftojmë për ato vlera dhe besojmë në to, e ajo është të jemi të bashkuar në diversitetet.
Në emër të kësaj, sot dita ime e punës nisi me takim bilateral me zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian përgjegjëse për politikën e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes, Kaja Kallas. Gjatë takimit diskutuam për të gjitha shqetësimet dhe sfidat që ne si shtet dhe popull kemi kaluar në të kaluarën në emër të këtyre vlerave evropiane dhe theksova se nuk guxojmë më asnjëherë, jo vetëm për hir të vetes sonë por edhe për vlerat që ndajmë me Bashkimin Evropian, të diskutojmë për çështje bilaterale, çështje identitare dhe se askush nuk ka të drejtë të vërë më në pikëpyetje identitetin tonë shekullor dhe gjuhën tonë amtare, maqedonase, që ka rrënjë shumëshekullore.
Ditën do ta vazhdojmë me takime bilaterale me kryeministrin e Polonisë, z. Tusk, i cili do të jetë kryesuesi i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Po ashtu, do të zhvillojmë takim bilateral me kryeministrin e Spanjës, z. Sançez dhe disa orë më vonë do të mbahet Samiti zyrtar i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.