Fetai në takim me ambasadorin çek Ludva: Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian

Zëvendëskryeministri Arben Fetai zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Republikës Çeke, SH.T. z. Jaroslav Ludva, ku u diskutuan çështjet kyçe që përcaktojnë agjendën politike dhe strategjike të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Takimi u përqendrua në prioritete të rëndësishme si lufta kundër korrupsionit, integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik.

Fetai vuri theksin te përpjekjet e Qeverisë për luftimin e korrupsionit, duke shpalosur angazhime konkrete për përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e transparencës. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e procesit të integrimit evropian, që mbetet prioritet kryesor shtetëror.

Zëvendëskryeministri informoi ambasadorin Ludva mbi masat e Qeverisë për mbështetjen e komunave përmes fondeve nga buxheti qendror, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal.

Ambasadori Ludva ritheksoi mbështetjen e Republikës Çeke për Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se ndryshimet kushtetuese janë thelbësore për përparimin e vendit. Ai shtoi se Maqedonia e Veriut e ka vendin në Bashkimin Evropian.

Takimi konfirmoi përkushtimin e qeverisë ndaj reformave, ruajtjes së stabilitetit dhe garantimit të një të ardhmeje evropiane për vendin dhe qytetarët e tij.