Ministri i administratës publike, Goran Minçev, në intervistën për Alsat TV prezantoi reformat kyçe në administratën publike, duke theksuar nevojën për standarde më të larta dhe efikasitet.
"Fushata me moton "Të gjithë së bashku për një administratë publike profesionale dhe cilësore" është fillimi i reformave të rëndësishme, një pako ligjesh të cilat do të na mundësojnë kritere shtesë për të punësuarit e ri në sektorin publik dhe do të sigurojnë monitorimin e vazhdueshëm të detyrave të punës të secilit punonjës" - deklaroi Minçev.
Ai theksoi rëndësinë e zgjidhjeve të reja ligjore që do të mundësojnë kritere më të rrepta për të punësuarit e rinj, konkurrencë më të madhe dhe vlerësim të vazhdueshëm të punonjësve në administratën publike. Si shembull, ai përmendi shfuqizimin e Këshillit Inspektues, që do të rezultojë në kursime të konsiderueshme buxhetore dhe racionalizimin e burimeve publike.
"Po shfuqizojmë organe në përputhje me standardet evropiane, duke bërë kështu kursime të konsiderueshme në buxhet. Ky është vetëm fillimi i një procesi afatgjatë të racionalizimit" - theksoi ministri.
Duke iu referuar shfuqizimit të Balancuesit, ministri theksoi se shpalljet aktuale bazohen në kritere për dije dhe cilësi dhe përfaqësimi i drejtë do të sigurohet me një zgjidhje të re ligjore që do të përpilohet nga një grup ekspertësh dhe do të konsultohet me Komisionin e Venecias.
"Shpalljet tani bëhen në bazë të cilësisë dhe dijes, ndërsa zgjidhja e re ligjore do të garantojë kategorinë kushtetuese të përfaqësimit të drejtë. Detyra jonë është të sigurojmë shërbime efikase dhe cilësore për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike" - theksoi ai.
Përkushtimi i ministrisë së administratës publike është që këto reforma të sjellin ndryshime pozitive në administratën publike dhe të vendosin themelet për sukses afatgjatë dhe efikasitet në punën e institucioneve.