Minçev: Janë bërë përpjekje të mëdha për të stabilizuar buxhetin dhe për të rritur pagat në sektore të ndryshme

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë pjesëmarrjes në Lajmet Qendrore në TV Alsat, theksoi angazhimin e Qeverisë për stabilizimin e buxhetit dhe përmirësimin e pagave në sektorë të ndryshëm, përfshirë administratën publike.

Qeveria në gjashtë muajt e fundit ka adresuar me sukses situatën katastrofale në buxhet, duke parashikuar një rritje mesatare prej 8% për punonjësit e administratës publike në kuadër të zgjidhjeve të reja ligjore.

“Ky harmonizim i pagave në administratën publike prej 8% është pjesë e zgjidhjeve të reja ligjore të propozuara nga Ministria e Administratës Publike, me të cilat sigurojmë përshtatjen e pagave me pagën mesatare aktuale dhe jo me pagën minimale, që ishte një nga kërkesat kryesore të sindikatave”  deklaroi Minçev.

Ka pasur tashmë rritje pagash në disa sektore kyçe, siç janë Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë, si dhe rritje pensionesh për pensionistët, të cilët morën mjete financiare shtesë prej 2.500 denarë në transhën e parë dhe do të marrin edhe 2.500 denarë të tjerë në mars të këtij viti.

“Për kategoritë e caktuara të punonjësve në administratën publike, rritja do të arrijë deri në 13%, në varësi të pozicionit të punës, që është një tregues i qartë i përpjekjeve të Qeverisë për të siguruar zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme“, shtoi Minçev.

Sa i përket mundësisë së një krize në administratën publike nëse kërkesat e sindikatave nuk plotësohen, Minçev theksoi se nuk sheh arsye për një skenar të tillë, pasi Qeveria brenda vetëm gjashtë muajve ka bërë hapa të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve në sektorin publik.

“Në gjashtë muajt e parë të mandatit, kjo Qeveri arriti rezultate konkrete, ndërsa Qeveria e kaluar, gjatë shtatë viteve, pothuajse nuk bëri asgjë për përmirësimin e situatës. Nuk do të doja të mendoja se këto protesta kanë prapavijë politike“ – tha Minçev.

Minçev njoftoi se nesër do të zhvillojë një takim me kryetarët e Unionit të Sindikatave të Maqedonisë dhe AOJSH-së për shqyrtimin e kërkesave të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës në sektorin publik.

Ai u fokusua edhe në efikasitetin e administratës publike, duke theksuar se kapaciteti aktual i punës është rreth 30-40%. Për të arritur një efikasitet më të madh, nevojitet edukim dhe ri-edukim i punonjësve, me qëllim që të zgjidhen problemet me mbingarkesën apo papërfaqësimin e mjaftueshëm të stafit në sektorë të caktuar.
"Qëllimi ynë është të krijojmë një administratë publike efikase që do të jetë në shërbim të qytetarëve“ – përfundoi Minçev.