Gjatë ditës së djeshme, Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë në disa aktivitete inaugurale të Presidentit të ri të SHBA-ve, të mbajtura në Uashington.
Ai zhvilloi takim edhe me kryetarin e Partisë Republikane të SHBA-ve, Michael Whatley, me të cilin ndoqën fjalimin përshëndetës të Presidentit amerikan, Donald Trump.
Përveç kësaj, qëndrimi në Uashington u shfrytëzua për një sërë takimesh ku u lobua për interesat maqedonase.
Kryeministri Mickoski mori pjesë në ceremoninë “Zërat e Lirisë,” të organizuar nga kompanitë Trump Media dhe Rumble, e cila u mbajt pas inaugurimit. Në këtë ngjarje, ai pati takim me Dan Bongino, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit Trump dhe komentator politik i njohur i krahut të djathtë.
-“Një bisedë ku diskutuam për Maqedoninë, sfidat dhe mundësitë tona. Argumentet dhe qëndrimet tona janë të qarta dhe partneriteti ynë strategjik me SHBA-të dhe administratën e Presidentit Trump është i fortë. Ne luftojmë në vend për paga më të larta, pensione, infrastrukturë të re, shëndetësi më të mirë, arsim më konkurrues, ekonomi me rritje të shpejtë, etj., por gjithashtu luftojmë edhe në Bruksel, Berlin, Paris, Londër, Uashington, etj. Zëri ynë po bëhet gjithnjë e më i fortë,” theksoi Kryeministri Mickoski lidhur me takimin.
Njëkohësisht, Kryeministri maqedonas zhvilloi një bisedë me Andrew Peykoff, biznesmen kanadez me origjinë maqedonase, themelues dhe president i Niagara Bottling, kompani që ka të ardhura vjetore prej rreth 4 miliardë dollarësh amerikanë dhe rreth 5000 të punësuar. Kompania është themeluar në vitin 1963 dhe sot është kompania më e madhe në tregun amerikan në këtë fushë.
-“Investimet e Niagara Bottling në Maqedoni janë të mirëseardhura. Diaspora maqedonase është element kyç në sistemin tonë, për të bërë më të qartë dhe më të fortë zërin dhe argumentet tona në botë. Po rinovojmë dhe krijojmë mundësi dhe partneritete të reja me këdo që mund të ndihmojë shtetin,” theksoi Mickoski për këtë takim.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u takua gjithashtu me Jesse Spiro, drejtor kryesor në Tether dhe përgjegjës për marrëdhëniet strategjike me qeveritë në botë. Tether është kompania më e madhe në botë që menaxhon kapitalin digjital dhe kriptovalutat. Fitimi i kompanisë në vitin 2023 ishte 6.2 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa vetëm në gjysmën e parë të vitit 2024, fitimi ishte 5.2 miliardë dollarë amerikanë.
Lidhur me takimin, Mickoski deklaroi: -“Diskutuam për tregun e kriptovalutave, të ardhmen e tyre dhe teknologjinë blockchain. Çdo investim i Tether-it dhe çdo përvojë e ndarë nga më të mëdhenjtë në fushën e tyre është i mirëseardhur. Duhet të ecim përpara me hapa të mëdhenj. Nuk guxojmë t’i injorojmë sfidat e së ardhmes,” theksoi Mickoski.