Perinski në Aerodrom: Së bashku me qytetarët për përparim më të madh të komunës në çdo aspekt

Në kuadër të vizitave në terren nëpër komuna “Ku zemra është në shtëpi”, qytetarët, përfaqësues të sektorit të biznesit, organizatave joqeveritare dhe mësimdhënës nga Aerodromi sot takuan ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski dhe zëvendësin e tij Erxhan Selimi. Në takim u shprehën mendimet, sugjerimet dhe idetë e tyre për përmirësimin e cilësisë së jetës së përditshme. Ata folën për ndryshimet aktuale të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për të cilat qytetarët e pranishëm shprehën mbështetje të madhe, si dhe dhanë sugjerime konstruktive për rritjen e sigurisë në komunikacion në zonën e Aerodromit, për stimulimin e sportistëve të rinj dhe për ruajtjen e sipërfaqeve të parkut të gjelbër. Gjithashtu u shkëmbyen propozime specifike për tejkalimin e problemit të autoshkollave që përdorin në mënyrë të pajustifikueshme pjesë të vendbanimeve si terrene stërvitore, si dhe për të ndërmarrë zgjidhje afatgjata që do të kapërcejnë problemin e ndotjes së ajrit, si dhe qenve endacak.
“Jam i kënaqur me interesimin e shprehur të qytetarëve për bashkëpunim, që në fakt është një nga qëllimet e vizitave tona. Besoj, por edhe jam i bindur se bashkë me ta, Komunën, Qeverinë dhe ne si Ministri, secili në kompetencat tona, do të vazhdojmë të ndërmarrim masa dhe hapa për përparim më të madh të komunës në çdo aspekt, nga i cili do të përfitojnë më së shumti qytetarët”, tha ministri Perinski, në takimin e sotëm, në ditën e dytë të vizitës në Komunën e Aerodromit në kuadër të aktivitetit “Ku zemra është në shtëpi”,.
Nesër, në ora 12:00, në kuadër të vizitave në terren, ministri Perinski së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrin e transportit Aleksandar Nikolloski dhe ud. kryetari i Komunës së Aerodromit Dejan Miteski do të shpallë fillimin e punëve ndërtimore për rehabilitimin dhe rikonstruksionin e sheshit prapa qendrës tregtare “Kapitol”. Ky projekt është një nga tetë projektet që do të realizohet me fonde nga buxheti i shtetit, i miratuar në thirrjen e parë publike për mbështetje financiare për bashkitë.