Ministri Vllado Misajllovski sot (5 shkurt) në Ministrinë e Mbrojtjes ka takuar ambasadorin e sapoemëruar të Italisë, Paolo Palminteri dhe atasheun e mbrojtjes, kolonelin Kristian Margeriti.
Misajllovski i uroi mirëseardhje ambasadorit Palminteri dhe i tha se Ministria është plotësisht e përkushtuar për zhvillimin e bashkëpunimit të mbrojtjes maqedono-italiane si bashkëpunim ndërmjet dy aleatëve të NATO-s.
„Shkalla e lartë e realizimit të aktiviteteve nga Plani i bashkëpunimit bilateral për vitin e kaluar dhe puna intensive në Planin e këtij viti, të cilin presim ta nënshkruajmë në mars, gjatë konsultimeve bilaterale mes dy vendeve, është dëshmi se kemi synime të përbashkëta, se bashkëpunojmë në nivelin më të lartë dhe se jemi plotësisht të përkushtuar për avancimin e të gjitha fushave të mbrojtjes”, tha Misajllovski.
Në kuadër të prokurimit të helikopterëve nga kompania italiane Leonardo, ministri Misajllovski kërkoi mbështetje për zgjidhjen e përbashkët dhe transparente të paqartësive juridike të trashëguara në nivelin më të lartë.
Bashkëpunimi dhjetëvjeçar maqedono-italian është i dukshëm në disa fusha të mbrojtjes, përmes diskutimeve dhe seminareve ekspertësh në fushat e bashkëpunimit civilo-ushtarak, aviacionit ushtarak, logjistikës, policisë ushtarake, sigurisë kibernetike, transformimit të sistemit të trajnimit dhe arsimit etj. Në vitet e fundit, pjesëtarët e dy ushtrive kanë marrë pjesë në mënyrë të përsëritur në stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë, duke zhvilluar ndërveprueshmërinë si një shtyllë kyçe të veprimit të përbashkët në forcimin e sigurisë në territorin e NATO-s.
Baza e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes ndërmjet dy vendeve është Marrëveshja për Bashkëpunim Bilateral Ushtarak e nënshkruar në Shkup në vitin 1997.