Ndërtojmë autostrada të reja, krijojmë korridore moderne transporti – Zëvendëskryeministri Nikolloski prezantoi agjendën ambicioze të zhvillimit para Shoqatës së Dhomave të Ballkanit

“Kemi nisur një agjendë ambicioze për zhvillimin infrastrukturor me qëllim që ta shfrytëzojmë pozitën strategjike si një nyje kryesore e Ballkanit për të sjellë përfitime ekonomike për shtetin dhe rajonin,” deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Dhomave të Ballkanit, e cila u mbajt sot në Shkup. 

Në këtë asamble, ai prezantoi programin qeveritar për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, duke theksuar se qeveria po punon intensivisht në ndërtimin dhe modernizimin e dy korridoreve panevropiane, Korridorit 8 dhe Korridorit 10, si dhe degës 10d. 

“Vetëm në janar vumë në funksion 42 km rrugë ekspres, ndërsa pres që në periudhën e ardhshme të vëmë në funksion edhe të paktën 10 km rrugë ekspres dhe 40 km autostradë. Gjithashtu, pres që këtë vit të hapim front pune për ndërtimin e 67 kilometrave të tjerë autostradë. Në muajin shkurt do të fillojmë ndërtimin e autostradës Tetovë – Gostivar, në mënyrë që të punohet në të gjithë pjesën perëndimore të Korridorit 8. Sa i përket Korridorit 10d, kemi vënë në funksion një pjesë të rrugës ekspres Prilep - Gradsko, ndërsa në dy muajt e ardhshëm presim të funksionalizojmë edhe pjesën e dytë. Vjeshtën e kaluar filluam ndërtimin e autostradës Prilep – Manastir, ndërsa këtë vit pres të gjejmë një zgjidhje edhe për unazën e Manastirit,” theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski. 

Ai shtoi se po punohet edhe në projektimin e rrugës ekspres Kumanovë – Stracin, ndërsa për Korridorin 10 po hartohet një projekt për një lidhje të re rrugore nga Gjevgjelia, përmes Strumicës, deri në kufirin me Bullgarinë. 

“Sa i përket Korridorit 10, po punojmë për sigurimin e fondeve për ndërtimin e një hekurudhe të shpejtë në të gjithë gjatësinë e korridorit si pjesë e Korridorit Evropian 10, që shtrihet nga Athina deri në Vjenë. Së shpejti do të ndajmë informacione të mira për këtë projekt. Do të ofrojmë një zgjidhje për një hekurudhë të shpejtë me shpejtësi deri në 200 km/h për transportin e pasagjerëve dhe 120 km/h për transportin e mallrave. Me këtë, do të hapim portet jugore drejt Evropës Qendrore,” theksoi Nikolloski. 

Në fjalimin e tij, ai potencoi gjithashtu se politikat e reja në aviacion kanë sjellë 9 destinacione të reja, ndërsa për transportin e shpejtë në vendkalimet kufitare, shtoi: 

“Jemi tashmë në marrëveshje me Greqinë për të zgjeruar ndjeshëm vendkalimin kufitar Bogorodicë në 12 korsi. Gjithashtu, kemi komunikim intensiv me Serbinë për të bërë plotësisht funksional sistemin ‘One Stop Shop’. Pres që deri në prill të implementojmë ‘One Stop Shop’ edhe me Kosovën. Ndërsa për kalimet kufitare Qafasan dhe Deve Bair, po punojmë intensivisht për zgjerimin dhe modernizimin e tyre,” përfundoi zëvendëskryeministri Nikolloski.