Nikolloski nga Kavadari: Investojmë 1.1 milionë euro në pesë fshatra për rrugë dhe sisteme kanalizimi, ndërsa në Stragovë dhe Sopot do të investojmë 1 milion euro për ujësjellës

Vitin e kaluar, gjithsej 1.1 milionë euro përmes Ministrisë së Transportit iu dhanë komunës së Kavadarit për projekte infrastrukturore ndërsa në mbledhjen e ardhshme të qeverisë do të miratohet vendim për 1 milion euro shtesë për realizimin e sistemeve ujësjellëse për dy vendbanime në Kavadar, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë vizitës së tij të punës sot në Kavadar.

Zëvendëskryeministri Nikolloski, së bashku me Kryetarin e Qeverisë, Hristijan Mickoski dhe kryetarin e komunës së Kavadarit, Mitko Jançev, inspektuan punimet për rikonstruksionin e aksit rrugor Dabnishtë - Resavë, projekt që realizohet me mjetet e pakthyeshme që Qeveria u dha komunave për realizimin e projekteve kapitale.

Zëvendëskryeministri Nikolloski theksoi se është shpallur edhe thirrja e dytë publike dhe i ftoi të gjitha komunat të aplikojnë për mjete të reja të pakthyeshme për realizimin e projekteve infrastrukturore.

“Vitin e kaluar, gjithsej 1.1 milionë euro përmes Ministrisë së Transportit u transferuan në një llogari të dedikuar të komunës së Kavadarit, tashmë po realizohen 5 projekte dhe jemi në fazë të avancuar. Për këtë vit, thirrja ishte e hapur dhe pres që në periudhën e ardhshme të arrijnë aplikimet, ndërsa ajo që mund të paralajmëroj është se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë pres që rreth 1 milion euro mjete shtesë të miratohen si donacion për rrjetet e ujësjellësit që do të ndërtohen në fshatin Stragovë dhe fshatin Sopot, të cilat do të ndihmojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Dhe një gjë tjetër, gjatë muajit janar ishim afër Kavadarit dhe lëshuam një pjesë të rrugës eksprese nga Gradsko në Prilep, përkatësisht aksin Gradsko-Drenovë. Mund të them se po punohet intensivisht në aksin Drenovë - Farish, në mbrojtjen e kthesave, në zgjidhjen e çështjeve të sigurisë dhe shumë shpejt mund të shohim hapjen edhe të këtij aksi,” deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.