Andonovski: Për herë të parë një ligj për qasjen e personave me aftësi të kufizuara në faqet dhe aplikacionet shtetërore

Ministria e Transformimit Digjital sot organizoi një debat publik për Draft-Ligjin për qasjen në faqet e internetit dhe aplikacionet celulare të institucioneve të sektorit publik, ku ministri Stefan Andonovski mbajti një fjalim përshëndetës.
Andonovski theksoi synimin e Qeverisë për krijimin e një shoqërie digjitale plotësisht inkluzive.
"Po krijojmë një kornizë ligjore që do t’u mundësojë personave me aftësi të kufizuara, personave me dëmtim të shikimit, si dhe qytetarëve më të moshuar, të marrin pjesë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë në shoqërinë digjitale."
Në debatin publik morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, sektorit joqeveritar, organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit akademik, duke demonstruar rëndësinë e kësaj rregullative ligjore për shoqërinë maqedonase.
"Ky ligj është një hap thelbësor drejt sigurimit të qasjes së plotë të faqeve qeveritare për personat me aftësi të kufizuara. Kjo është një çështje e të drejtave themelore të njeriut, e cila, me ndihmën e teknologjisë, do të mundësojë qasje të barabartë në informacion dhe shërbime për të gjithë qytetarët," theksoi ministri Andonovski.
Ligji, i cili buron nga Direktiva e BE-së 2016/2102, parashikon masa inkluzive për të siguruar qasje, duke përfshirë një përmbajtje të lehtë dhe të kuptueshme, operativitet të interfejsit dhe zbatimin e qëndrueshëm teknik. Për të monitoruar zbatimin e ligjit, Ministria e Transformimit Digjital do të angazhohet në harmonizimin, ofrimin e trajnimeve dhe lëshimin e udhëzimeve teknike.
"Vizioni ynë është i qartë – ndërtojmë një shtet digjital në të cilin çdo qytetar, pa përjashtim, do të ketë qasje të barabartë në informacione dhe shërbime. Ky ligj është pjesë e angazhimeve më të gjera të shtetit për përmbushjen e detyrave nga Agjenda e Reformave dhe Konventa e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara nga viti 2011," theksoi Andonovski.
"E dimë se ky proces kërkon kohë dhe burime, por kjo është një investim për një të ardhme më të mirë, në të cilën transformimi digjital vërtet nuk lë askënd pas. Një e ardhme ku teknologjia shemb dhe nuk krijon barriera," përfundoi Andonovski.