Kryeministri Hristijan Mickoski mbajti fjalim në panel-diskutimin mbi Gjeostrategjinë dhe Sigurinë Energjetike në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Kryeministri Mickoski foli për sfidat e reja me të cilat përballet NATO, për planet e Maqedonisë në fushën e energjetikës, si dhe për marrëdhëniet e ardhshme në Evropë.
Ai theksoi se nuk është aspak i befasuar nga fjalimet në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe nga disa ndryshime të "erërave që fryjnë".
"Kur flasim për NATO-n, mos harroni se shteti im, për t’u bërë anëtar i NATO-s, ndryshoi emrin e tij. Kur flitet për heqje dorë dhe për standarde të dyfishta, nuk duhet ta harrojmë këtë.
Përkushtimi ynë ndaj NATO-s nuk mund të vihet në dyshim, ne u bëmë anëtarë të NATO-s me shumë vuajtje dhe poshtërime," tha kryeministri Mickoski dhe shtoi se nuk është i befasuar nga zhvillimet e fundit dhe paralajmërimet nga administrata amerikane.
Kryeministri Mickoski theksoi se kur flitet për standarde të dyfishta në politikë, duhet marrë parasysh çështja maqedonase, sepse për dy dekada statusi i kandidatit nuk mund të kthehet në anëtarësim për shkak të çështjeve artificiale që po hapen.
"Dëgjova zërat në Mynih për ndërhyrje në çështjet e brendshme, por kur e ndryshonim flamurin tonë, kur e ndryshonim valutën tonë ose kur e ndryshonim emrin tonë kushtetues, çfarë ishte kjo? A nuk ishte kjo ndërhyrje në punët e brendshme dhe pse askush nuk foli zëshëm atëherë?
Edhe tani po përballemi me një kërkesë për të ndryshuar sërish Kushtetutën nëse duam të fillojmë negociatat me BE-në. Çfarë është kjo? A nuk është kjo ndërhyrje në punët e brendshme?" – pyeti Mickoski.
Ne jemi pjesë e Evropës dhe duam të zbatojmë vlerat evropiane. Por ajo që po ndodh është diçka krejtësisht e ndryshme. Ne jemi dëshmitarë të të ashtuquajturës “Ballkanizim i Evropës” në vend të “Evropianizimit të Ballkanit”. Disa vende ballkanike anëtare sollën konfliktet dhe vlerat ballkanike në Bruksel, në vend që të ndodhte e kundërta.
Ju thatë se Rusia mohon identitetin, gjuhën dhe kishën ukrainase, një invazion i tmerrshëm dhe krejtësisht i gabuar në shekullin XXI. Por në të njëjtën kohë, parlamenti i një prej anëtareve më të reja të BE-së mohon identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, e cila është gjuhë zyrtare e OKB-së që nga viti 1945 dhe e kodifikuar ndërkombëtarisht që nga viti 1977. Atëherë për çfarë po flasim? Pse të gjithë heshtin atëherë? – theksoi Mickoski dhe shtoi se Maqedonia duhet të jetë e sigurtë në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Në lidhje me planet energjetike dhe rolin e Maqedonisë si një kryqëzim i rëndësishëm , ai shtoi:
"Kjo duket si vizion për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, e cila ka një potencial të madh. Të jesh një vend pa dalje në det mund të shihet si një disavantazh, por qasja juaj – ta shfrytëzoni pozicionin gjeografik përmes Korridoreve 8 dhe 10 – është shumë strategjike.
Korridori 8, i cili lidh Detin e Zi me Detin Adriatik, është kritik jo vetëm për ekonominë, por edhe për NATO-n, sepse krijon një bosht të fuqishëm transporti nga Lindja në Perëndim.
Në të njëjtën kohë, modernizimi i Korridorit 10 mund të ndryshojë mënyrën se si lëndët e para dhe produktet transportohen nëpër Evropë, duke ulur varësinë nga portet e largëta si Roterdami dhe Hamburgu. Nëse porti i Selanikut bëhet një pikë kyçe transporti, Maqedonia e Veriut do të fitojë një avantazh të rëndësishëm ekonomik dhe gjeopolitik."