Akreditim i pakushtëzuar i NATO-s për Qendrën Rajonale për Marrëdhënie me Publikun në Ministri, konfirmim i cilësisë së lartë të trajnimit në mbrojtje

Qendra Rajonale për Marrëdhëniet me Publikun (PARC), në Ministrinë e Mbrojtjes, ka marrë dje zyrtarisht akreditimin e pakushtëzuar të NATO-s, duke u bërë kështu qendra e vetme e akredituar e NATO-s në vend, si dhe e vetmja qendër e akredituar e specializuar në trajnime në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimeve strategjike në Aleancë.
Kjo njohje është rezultat i një procesi vlerësimi të plotë të kryer nga një ekip ekspertësh të NATO-s, të cilët më 4 dhe 5 dhjetor 2024 vlerësuan qendrën kundrejt 31 standardeve të sigurimit të cilësisë në tre fusha kyçe: lidership dhe menaxhim, cilësia e trajnimit dhe kontributi në NATO.

Me këtë akreditim, Ministria e Mbrojtjes merr një qendër trajnimi të njohur ndërkombëtarisht, e cila do të luajë një rol kyç në forcimin e kapaciteteve të komunikimit të NATO-s, vendeve aleate dhe partnere. Tani e tutje, PARC ofron trajnime të certifikuara me gradën e certifikimit “NATO approved” në fushën e komunikimeve strategjike me fokus në marrëdhëniet me publikun ushtarak që do të mbështesë drejtpërdrejt misionet dhe operacionet e NATO-s, duke mundësuar zhvillimin e gjeneratave të reja të ekspertëve të komunikimit ushtarak.

Akreditimi forcon më tej rolin e vendit tonë në Aleancë, duke siguruar një integrim më të madh të Ministrisë së Mbrojtjes në strukturat arsimore dhe stërvitore të NATO-s. Kjo hap mundësi për rritjen e bashkëpunimit me qendrat e NATO-s dhe institucionet partnere, zhvillimin e trajnimeve të reja dhe akses në burimet dhe ekspertizën ndërkombëtare.

Ky sukses është rezultat i angazhimit të gjatë të PARC dhe Ministrisë së Mbrojtjes për respektimin e standardeve më të larta të NATO-s. Me përfundimin me sukses të këtij procesi, vendi forcon pozicionin e tij si një kontribues i besueshëm dhe aktiv në Aleancë, me një qendër që do të vazhdojë të jetë një shtyllë për edukimin dhe zhvillimin në fushën e komunikimeve strategjike dhe marrëdhënieve publike ushtarake.